Kosova vazhdon të përballet me mungesë të inspektorëve, ndonëse shtimi i tyre ishte një nga zotimet kryesore të Qeverisë.
Sidoqoftë, 240 inspektorë të ndarë në sektorë të ndryshëm, janë futur në buxhet të këtij viti, por përkundër kësaj, deri tash, siç thotë Ministria e Punëve të Brendshme, konkurse janë hapur për vetëm 43 inspektorë.
“Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bazë të kërkesave të pranuara nga institucionet dhe konform legjislacionit në fuqi, ka bërë publikimin e konkurseve për grupin “Specialist i posaçëm për Inspektim” dhe “Specialist i përgjithshëm për inspektim”, për pozitën Inspektor i Punës për 22 (njëzet e dy) vende të punës. Për grupin “Specialist i Arsimit”, për pozitën Inspektor i Arsimit, për 21 (njëzet e një) vende”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Shtimin e numrit të tyre e bën më të vështirë edhe ndarja në dy grupe e aplikimeve, në atë jashtë shërbimit civil, ku të drejtë aplikimi kanë të gjithë qytetarët, dhe brenda shërbimit civil, ku të drejtë aplikimi kanë vetëm zyrtarët publikë. Nga zyrtarët publikë, rrallë kush që aplikon për t’u bërë inspektor i punës.
“Interesim mund të them që nuk ka brenda shërbimit civil, këto pozita që shpallen brenda shërbimit civil shpallen vetëm për qytetarë që e kanë një vend të punës dhe zakonisht ata zyrtarë nuk e konsiderojnë të lehtë ta ndërrojnë atë pozitë kudo që është në administratë, të kalojnë si inspektor të punës që të bëjë inspektime në terren”, tha kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Megjithatë, sipas Nikçit, nëse nuk plotësohen këto pozita do ta shpallin konkursin jashtë shërbimit civil pasi ka më shumë interesim dhe në këtë formë thotë se deri në fund të vitit, do të rekrutohen 100 inspektorë të punës, siç edhe janë paraparë në këtë sektor.
“Ato që nuk do të arrijmë t’i rekrutojmë do t’i shpallim jashtë shërbimit civil, siç e përmenda, këto 19 pozita përmes departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë”, tha Nikçi.
Sidoqoftë, sipas Nikçit, kushtet në të cilat punojnë inspektorët sot janë mjaft të mira, derisa edhe paga që marrin kap vlerën 780 euro, pa përfshirë bonuset. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: