Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale nuk ka kaluar pa pakënaqësi jo vetëm për rezultatet, por edhe për mënyrën si u zhvillua procesi.
Ndër zërat kritikë ishte ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili gjatë ditës së votimit u sigurua të posedojë prova për ankesa të mundshme.
Lëvizja Vetëvendosje pretendoi se LDK kishte thyer heshtjen zgjedhore më 9 nëntor, mirëpo ky pretendim u refuzua si i pabazuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Siç thuhet në vendimin e PZAP-së:
“Paneli ka vlerësuar se nga provat e ofruara si dëshmi shihet se fotografimi është bërë jashtë rrethojave te vendvotimit respektivisht jashtë objektit te shkollës fillore “Faik Konica” pra videoja është bere ne rruge, e cila është shume e frekuentuar, si njëra nga rrugët kryesore te kryeqytetit, andaj kalimi i andej pari i aktivistit te LDK -se nuk vërtetohet se ka kryer aktivitet zgjedhor gjate ditës se zgjedhjeve gjegjësisht nuk ka thyer heshtjen zgjedhore”.
PZAP ka pranuar gjithsej 71 ankesa nga individë dhe subjekte politike të ndryshme.
Ndër to, e vetmja që u vlerësua si e bazuar ishte ajo e PDK-së në Mitrovicën e Jugut, pasi kandidati Faton Peci mbajti tubim një ditë para zgjedhjeve, në një hapësirë që të nesërmen do të shërbente si qendër votimi.
Për këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 2,500 euro.
Në vendimin e PZAP-së thuhet:
“Më datë 08.11.2025, në oborrin e shkollës në fshatin Bajgorë, e cila është caktuar të shërbejë si qendër votimi për datën 09.11.2025, është zhvilluar një tubim elektoral nga kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci. Gjatë këtij aktiviteti politik, kandidati dhe përfaqësues të tjerë të subjektit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë vendosur një tendë në hapësirat e shkollës, kanë mbajtur fjalime dhe kanë zhvilluar aktivitete elektorale pa marrë paraprakisht leje nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) dhe pa miratimin e drejtorit të shkollës, siç parashihet me ligj”.
Shumica e ankesave tjera u vlerësuan si të pabazuara ose të pasafatshme, ndërsa palët kanë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme.
Aktualisht, e vetmja ankesë që ende po shqyrtohet nga PZAP është ajo e PDK-së, e cila pretendon se ka pasur manipulim me vota për kryetar të Mitrovicës së Jugut dhe kërkon rivotim.







