Përgatiti: Alma Hysenaj
Në ditën e punëtorëve, nuk u punua as në sheshin “Xhorxh Bush”, në kryeqytet.
Pas ndalimit të punimeve për të tretën herë, edhe të enjten kryetari Përparim Rama reagoi duke kërkuar përgjegjësi.
Sipas tij, nuk ka perimetër të shpallur në Geoportal e as në regjistrim në Kadastër, sic po pretendohet nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Vendimi i këtij inspektorati, sipas drejtorit të Rrjetit të OJQ-ve, AVONET, Kenan Gashi, duhet të respektohet derisa gjykata të nxjerrë vendimin se ai ka qenë i kundërligjshëm.
“Nëse komuna nuk ka një vendim të lejes ndërtimorë dhe nëse nuk i ka plotësuar normat bazuara administrative për këtë projekt atëherë inspektoriati ka të drejtë. Pavarësisht kësaj inspektoriati ëshë organi më i lartë se një inspektorit apo një organ më i lartë i komunës, këtë rast i Komunës së Prishtinës”, tha Gashi.
Derisa, Bekim Salihu nga instituti GAP, thotë se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, nuk ka dhënë opinion të qartë për formën e rrezikut ndaj monumenteve përreth.
“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore nuk ka paraqitur deri sot ne opinion se në çfarë forme cenohet ose rrezikohen objektet e trashëgimisë në këtë zonë përmes këtij investimi. Kjo mungesë përveç që krijon paqartësi, lejon edhe interpretime të ndryshme për qëllimet reale të këtyre veprimeve”, tha Salihu.
Megjithatë, Insistimin e kryetarit, për t’i realizuar projektet, njohësi i pushtetit lokal, Kenan Gashi, i lidhë me zgjedhjet e vjeshtës.
“Kryetari i komunës së Prishtinës, zotri Rama që sa vite nuk ka krijuar mundësi për ta zhvilluar një projekt të tillë, pra në fund të mandatit të tij fillon një projekt i cili për shumë qytetarë ka qenë shqetësim siç është bllokuar kjo rrugë si alternativë e mirë për funksionimit të kryeqytetit”, tha Gashi.
Të mërkurën, Kryetari Rama, ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike, në zgjedhjet e tetorit.