Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) edhe sot vazhdojnë grevën e përgjithshme për shkak të mos-marrjes së pagave.
Sindikalistët e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) kanë njoftuar se punëtorët e transmetuesit publik janë në gjendje jo të mirë sociale, si dhe funksionimi i RTK-së, është “rënduara në skaj”, duke e cilësuar situatën të papranueshme.
Po ashtu, Sindikata ka theksuar se greva do të vazhdojë dhe i bën thirrje të gjithë punëtorëve për mbështetje të plotë në veprimet e tyre, të cilat i konsideron “të drejta dhe ligjore”.
Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, dje ka deklaruar se ende nuk ka pasur asnjë reagim apo sinjal nga Qeveria e Kosovës për zgjidhjen e situatës.
Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe adresimeve të shumta, institucionet nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë. Ai është shprehur i habitur se si Qeveria arrin të gjejë zgjidhje dhe mjete financiare për çështje të tjera, përfshirë zgjedhjet, por jo për RTK-në, edhe pse transmetuesi publik ka buxhet të ndarë.
Ai ka theksuar se një nismë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, do të mjaftonte për të proceduar mjetet e nevojshme për RTK-në. Sipas tij, situata është rënduar aq shumë sa rreth gjysma e punëtorëve rrezikojnë të mos paraqiten më në punë, pasi nuk po paguhen për punën e tyre.
Bimbashi ka përsëritur thirrjen drejtuar Qeverisë Kurti që të gjejë zgjidhje sa nuk është bërë vonë. Ai ka theksuar se punëtorët e RTK-së nuk janë të përfshirë në politikë dhe se greva ka vetëm qëllim kërkimin e një të drejte themelore.
Kreu i SPERTK-ut ka paralajmëruar se mungesa e veprimeve institucionale, përfshirë vonesën e miratimit të ligjit të ri për RTK-në, ka çuar transmetuesin publik në një krizë serioze. Ai i ka bërë thirrje edhe partive politike të legjislaturës së ardhshme që të miratojnë ligjin dhe t’i garantojnë RTK-së vazhdimësinë e punës.
Ai ka kujtuar se RTK ka buxhetin më të ulët në rajon për një medium publik dhe se vazhdon të funksionojë edhe me 2.2 milionë euro më pak, mjete të cilat janë hequr pesë vjet më parë.







