Pse bëri bujë takimi mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë në Kosovë?

Në këtë artikull
Një takim mes përfaqësuesve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atyre të Ushtrisë së Serbisë në Prishtinë, nxiti reagime të shumta në Kosovë.
Megjithatë, takimi i 26 nëntorit nuk është i pari që ushtarakët serbë zhvillojnë në Kosovë me homologët e tyre nga KFOR-i, teksa ato në Serbi janë edhe më të shpeshta dhe zhvillohen që nga viti 2001.
Reklamë
KFOR-i publikoi fotografi ku u shfaqën ushtarakë serbë në uniforma në kampin e misionit në Prishtinë, teksa misioni tha se me homologët serbë mban raport të bazuar në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, “duke bërë ndërmjetësim të ndërsjellë dhe komunikim për të gjitha çështjet me vijën administrative kufitare dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake”.
KFOR-i e përmbylli njoftimin e publikuar në rrjetet sociale me disa hashtag, përfshirë #AsOneTeam (Si ekip i vetëm).
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KFOR tha se ky ishte “takim i rregullt ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët të Zbatimit të KFOR-it (JIC) dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF)”.
Sipas tyre, këto takime janë “rutinë dhe synojnë që palët të mbahen të informuara dhe të komunikojnë në kohë e në mënyrë efektive”. Ata kanë shtuar se gjatë viteve, takimet janë mbajtur në vende të ndryshme, përfshirë edhe selinë e KFOR-it.
Duke shtuar se KFOR-i mban komunikim të rregullt me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare, KFOR tha se ky komunikim është “thelbësor për të parandaluar keqkuptimet, për të ulur rrezikun e tensioneve dhe për të trajtuar shqetësimet e mundshme të sigurisë”.
“Këto marrëveshje prej vitesh shërbejnë si kornizë për mbajtjen e kontakteve, komunikimin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe me sigurimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thanë ata.
Kritika për mënyrën si KFOR-i prezantoi takimin me ushtrinë serbe
Përderisa vetë takimi, për Jeta Loshajn nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, është pjesë e një procesi normal të komunikimit mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë, mënyra se si u prezantua publikisht, është problematik.
Ajo thotë se takime të këtij lloji rëndom zhvillohen pa promovim mediatik, sepse sipas saj, dihet “sa e ndjeshme është kjo temë për qytetarët e Kosovës”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 dhe e konsideron vendin pjesë të territorit të saj.
Sipas Loshajt, përdorimi i hashtag-ut #AsOneTeam, nuk ishte gjest “as i ndjeshëm e as i përshtatshëm”, duke argumentuar se Ushtria serbe “nuk është pjesë e ‘ekipit’ të Kosovës, por është palë të cilës, në bazë të marrëveshjes së Kumanovës i ndalohet të hyjë në territorin e Kosovës pa leje përkatëse nga KFOR-i”.
“Dua te besoj se ishte gabim komunikimi dhe jo pjesë e ndonjë qëllimi politik. Megjithatë, një gabim i tillë ka kosto, sepse cenon pikërisht besimin që KFOR-i ka ndërtuar me vite te qytetarët e Kosovës”, thotë ajo për REL.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje qeverisë së Kosovës se a kishin informacione paraprakisht, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje.
Megjithatë, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, publikisht paraqiti kritika për këtë takim.
Ndonëse tha se nuk e vë në dyshim rëndësinë e komunikimit mes KFOR-it dhe ushtarakëve serbë për parandalimin e incidenteve, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën “e respektit të ndërsjellë”, dhe, sipas tij, “pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”.
“Kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmitë e krimeve të kryera nga forcat serbe, përfshirë varrezat masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe. Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Bajqinovci, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se KFOR-i duhet të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme. Por, sipas tij, çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën, “duhet të pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”.
Reagime të shumta pati edhe në rrjetet sociale, ku shumë argumentuan se përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e sheh si territor të saj, ka “zero arsye” që ushtarakët serbë të mirëpriten brenda territorit të Kosovës nga KFOR-i.
Disa qytetarë e panë si shkelje të sovranitetit të Kosovës, e disa si anashkalim të institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq, Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë argumenton se KFOR-i duhet të jetë i paanshëm dhe shqetësimi real për këtë takim është më shumë te perceptimi dhe besimi ndaj këtij misioni.
“Por, paanshmëria nuk do të thotë që Ushtria e Serbisë të trajtohet në publik si partner i barabartë në Kosovë. Kjo është ushtria e një shteti që jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por vazhdon të insistojë ndaj aspiratave territoriale ndaj Kosovës, dhe që as sot nuk ka dhënë llogari për Banjskën, e lëre më për krimet kundër njerëzimit gjatë luftës”, thotë ajo, duke shtuar se do të ishte mirë që KFOR-i në të ardhmen të koordinohet më mirë me institucionet e Kosovës.
Ajo thotë se Kosova duhet të reagojë ndaj takimit me qetësi e pa emocion dhe mesazhi duhet të jetë që komunikimi është i nevojshëm, “por mënyra si promovohet ka rëndësi”.
“Në Kosovë ka ende kujtesë të freskët për atë që ka bërë kjo ushtri në të kaluarën”, thotë ajo.
Sipas saj, qytetarët dhe institucionet e Kosovës meritojnë më shumë kujdes dhe që të informohen paraprakisht për takime të tilla.
“Kjo nuk është çështje lejeje. Është çështje respekti dhe partneriteti. Duhet theksuar edhe se kjo ndodhi vetëm një ditë pasi në Beograd përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë përsëriti qëndrimin se KFOR-i është ‘i vetmi formacion i armatosur legjitim’ në Kosovë. Ky qëndrim synon drejtpërdrejt delegjitimimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë kontekst, një postim me #AsOneTeam rrezikon t’i japë Beogradit material për narrativin e vet”, thotë Loshaj për REL.
Takimet mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë
Takimet mes KFOR-it – reaguesit të tretë të sigurisë në Kosovë – dhe Ushtrisë së Serbisë janë të zakonshme. Megjithatë, për dallim nga takimi i 26 nëntorit, takimet e fundit janë mbajtur në Serbi.
Shembull, më 16 tetor të këtij viti KFOR-i njoftoi se komandanti i misionit, gjeneralmajor Roberto Vergori, ishte takuar me shefin e Ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq. Që atëherë, ky i fundit ka njoftuar për pensionim.
Ngjashëm, të dy zyrtarët kishin zhvilluar një takim tjetër më 16 nëntor.
Edhe në këto takime, ajo që bie në sy është përdorimi i hashtag-ut të njëjtë #AsOneTeam.
Ndërkaq, në një takim të 2 tetorit në Beograd mes Mojsilloviqit dhe komandantit të atëhershëm të KFOR-it, turkut Ozgan Ulutash, ky hashtag nuk ishte përdorur.
Baza ligjore e këtyre takimeve rrjedh nga Marrëveshje Teknike Ushtarake e arritur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999 dhe nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Loshaj kujton se Marrëveshja e Kumanovës përcakton një zonë tokësore sigurie prej 5 kilometrash dhe një zonë ajrore sigurie prej 25 kilometrash. Në këto zona, forcat serbe s’mund të hyjnë pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it, dhe kjo, sipas saj është “pikë e rëndësishme”.
“Ushtria e Serbisë nuk ka asnjë të drejtë të vijë në Kosovë, përveçse me ftesë dhe me leje të KFOR-it”, thotë Loshaj.
“Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, takime të rregullta në të gjitha nivelet mbahen që nga viti 2001. Ato zhvillohen sipas parimit të reciprocitetit, me radhë në zonën e përgjegjësisë së secilës palë. Që nga viti 2005 zhvillohen edhe patrullime të njëkohshme në të dy anët e kufirit. Pra, mekanizmi ekziston prej më shumë se dy dekadash dhe ka një funksion konkret, që është kontrolli i kufirit dhe parandalimi i incidenteve”, shton ajo.
Por, takime mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë vite më parë janë zhvilluar edhe në Kosovë. Loshaj përmend takimet në vitet 2014, 2015 dhe 2016 kur shefi i atëhershëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, ishte takuar me komandantët e KFOR-it në Prishtinë.
“Në gusht të vitit 2014, komandanti i KFOR-it e priti Dikoviqin në Film City në kuadër të takimeve të nivelit të lartë sipas kësaj marrëveshjeje. Atë ditë u luajt edhe një ndeshje miqësore futbolli mes ekipeve të KFOR-it dhe të ushtrisë serbe në Kampin Bondsteel. Ajo vizitë shkaktoi reagime të forta në Kosovë. Shkak ishte kryesisht roli i Dikoviqit gjatë luftës në Kosovë”, kujton Loshaj.
Takime të tjera kishte pasur shembull edhe në një bazë të KFOR-it në Pejë më 2011 dhe 2023.
Ndër vite, edhe patrullimet e përbashkëta të KFOR-it dhe ushtrisë serbe përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë – që KFOR-i e quan me termin vijë administrative – kanë nxitur reagime të ashpra në Kosovë.
KFOR-i ka prani ushtarake në Kosovë që nga viti 1999, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së viteve 1998-99.
Në fillim, në kuadër të misionit të KFOR-it u stacionuan rreth 50.000 trupa, por aktualisht janë 4.659.
Misioni është përgjegjës për sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa në pjesët e tjera të vijës kufitare përgjegjësinë e ka Policia e Kosovës.
Reklamë








