Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në një protestë paqësore në Prishtinë, ku pritej të mbahej konferenca e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova. Protestuesit u afruan pranë hyrjes së objektit ku ndodhej Trendafilova, duke filluar me fjalime dhe thirrje kundërshtuese, raporton ATV.
Situata eskaloi pasi protestuesit hodhën fishekzjarre me tym të zi, ku si pasojë, konferenca është shtyrë përkohësisht.
Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët shprehën mbështetje për organizatat e dala nga lufta.
Vizita e Trendafilovës, e cila po zhvillohet nga 12 deri më 14 maj në Kosovë, është shoqëruar me reagime të ashpra. OVL-UÇK, SHIL dhe SHFD e kanë quajtur këtë vizitë “të papranueshme dhe një fyerje të rëndë ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit”.
Në reagimin e tyre theksohet se vizita po zhvillohet “nën një perde të trashë fshehtësie”, pa praninë e qytetarëve apo mediave, dhe përfaqëson mungesë transparence dhe përpjekje për të shmangur llogaridhënien. Po ashtu, ato kritikojnë Gjykatën Speciale për, siç thonë, heshtjen ndaj krimeve serbe mbi civilët shqiptarë.
Organizatat i kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj vizite, dhe u kanë kërkuar qytetarëve dhe mediave të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe historisë së luftës për liri. /atvlive.tv