Protestojnë veteranët, ​hedhin telefonat në oborrin e EULEX-it

Përgatiti: Arian Hajdaraj

Minutat po kalonin, derisa Faton Klinaku qëndronte vetëm disa metra larg objektit të misionit EULEX, në pritje të bashkëluftëtarëve që i kishte thirrur për të protestuar, ndaj këtij institucioni dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Pak para orës 12:00, veteranët edhe u mblodhën duke iu përgjigjur ftesës së ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, për t’i kundërshtuar bastisjet e kontrollimet e telefonave të ish-ushtarëve. Ndërkohë, Policia qysh më herët ishte mobilizuar.

Në protestë, u panë edhe anëtarë të Partisë Social Demokrate, të cilët veç tjerash sollën edhe një qese plot me telefona, që më vonë do t’iu shërbenin.

“ZPS-ja në Hagë, në mungesë të fakteve, vazhdon me filmat e saj. Kjo gjë kështu siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë, sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Kërkojmë që shteti të merret seriozisht me këtë dhe të mos lejojë që personat civilë, qofshin të ZPS-së apo EULEX-it, pa Policinë e Kosovës, të na hyjnë në shtëpi, sepse përndryshe do të ketë reagime të vazhdueshme të qytetarëve”, tha Klinaku.

Pas kësaj deklarate erdhi momenti i përdorimit të telefonave…

Për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, aksionet e ZPS-së në kohën kur në pushtet është Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë të rastësishme.

“Nuk është e rastësishme, kjo nuk ka ndodhë asnjëherë nga asnjë qeveri, kemi sulm të drejtpërdrejtë nga Dhomat e Specializuara për t’i shantazhuar ushtarët e UÇK-së dhe kemi heshtje dhe denigrim të dinjitetit të kategorive të dala nga lufta. Ky është një koordinim i dyanshëm i dëmshëm dhe i rrezikshëm për atë që ne e quajmë vlerën sublime të shteti të Kosovës, që është UÇK-ja”, tha Molliqaj.

Veprimet e zyrtarëve të ZPS-së, veteranët i krahasuan me ato të ish-regjimit.

“Janë duke bërë më keq se ish-regjimi. Me maska të hyjnë nëpër shtëpi për të marrë dokumentacione e telefona…”, tha Afrim Sogojeva, ish-luftëtar i Brigadës 114.

Sipas një ish-luftëtari të Brigadës 112, këto kontrolle shumë më lehtë do t’i pranonin nga Policia e Kosovës.

“Ne jemi çlirimtarë, e jo kriminelë… nuk ka nevojë me na i marrë telefonat në tavolinë… Por, më mirë është që me na kontrollu policia jonë, se këta të EULEX-it…”, tha Muhadin Demaj, ish-luftetar i Brigarës 112.

Duke filluar nga e marta, zyrtarët e Zyrës së Prokurorit Special bastisën banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, shtëpinë e ish-luftëtarit Behar Berisha, i intervistuan dhe ua kontrolluan telefonat Rrustem Mustafës, Nait Hasanit dhe vëllait të Salih Mustafës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA