Përgatiti: Kastriot Tahiri
Agron Ademaj i merr 120 euro pension si invalid civil i luftës, pasi shkeli në minë.
Me këmbë të amputuar, i paaftë për punë, thotë se me këto para nuk mund ta kalojë muajin.
Në mungesë të mjeteve financiare, tregon se nuk e ndërroi as protezën, që e mbajti katër vjet më shumë sesa duhej.
“Pensionet janë shumë të vogla për mirëmbajtje të protezës, se unë mbaj edhe familje. Kërkojmë nga qeveria me na mbështetë sidomos në protezë”. Protezën e kam mbajtë 6 vjet, duhet me mbajtë 2, shumë vështirë e kam pasë me lëviz se ajo zgjerohet e deformohet”, tha Ademaj.
Këto pakënaqësi, Ademaj bashkë me anëtarët e tjerë të Shoqatës së të Plagosurve nga Minat, i shprehën me protestë para qeverisë, të hënën.
Ata ndihen të diskriminuar nga shteti, pasi thonë se i kanë nevojat e njëjta me invalidët e luftës.
“Ai ka nevojë për protezë, ne kemi nevojë për proteza, proteza nën gjunjë pothuajse është e përafërt sa kushton një kosto, ndërsa proteza mbi gjunjë kushton rreth 40 mijë euro, ndërsa për neve janë caktuar rreth 5700 euro, ndërsa shumën tjetër duhet ta mbulojnë vetë anëtarët”, tha Jeton Kelmendi, anëtar i Shoqatës së të Plagosurve nga Minat.
“Kryeministri thotë që të gjithë qytetarët me statusin e invalidit të luftës duhet të sigurohet pagesa për proteza, ndërsa ministri Vitia çohet dy dite pas vendimit të kryeministrit dhe merr vendim dhe specifikon vetëm kategorinë e invalidëve të UÇK-së. Është shumë e padrejtë”, tha Avni Lubovci, kryetari i Shoqatës së të Plagosurve Civilë.
Protestuesit pritën për një kohë para qeverisë, me shpresën që mund të dalë dikush të diskutojë me ta.
Meqë një gjë e tillë nuk ndodhi, thanë se do të protestojnë sërish, deri në plotësimin e kërkesave.
Shoqata e invalidëve civilë aktualisht ka 74 anëtarë të cilët janë plagosur nga minat gjatë dhe pas luftës.