Kosova nesër do të protestojë në Ditën Ndërkombëtare të Punës. Protestën me rastin e 1 Majit, këtë të enjte prej orës 12.00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizojnë bashkërisht disa organizata dhe sindikata, raporton EO.
Në konferencën e përbashkët për media, organizatorët i bënë thirrje të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve që në protestën e nesërme të shfaqin pakënaqësinë e tyre kundër nëpërkëmbjes të të drejtave të punëtorëve.
“Punëtorët vdesin nga sëmundjet profesionale, por nuk u paguhet rrezikshmëria në punë dhe pagat e tyre janë të ulëta krahasuar me punën që e bëjnë. Punëtorët e kanë paditur KEK-un. Kërkojmë që të bëhet Gjykata e Punës. Do të kërkojmë respektimin e të drejtave të punëtorëve, ngritjen e pagave si dhe do të shtrojmë çështje të tjera jetike për punëtorët. Do të protestojmë edhe kundër shtrenjtimeve. Nesër në orën 12.00 të mos festojmë, por të protestojmë”, tha kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.
Për kushte pune shprehu pakënaqësiedhe Ibrahim Jonuzi, nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve.
“Ta shënojmë 1 Majin duke shprehur pakënaqësitë tona dhe të bëjmë thirrje për të drejtat tona. Për minatorët e Trepçës, për të gjithë ata të cilët mendojmë se në mungesë të kushteve elementare të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe për të gjitha padrejtësitë që u bëhen, ta shënojmë Ditën e 1 Majit duke i shprehur pakënaqësitë tona. Duke bërë thirrje për të drejta më të mëdha për të gjithë punëtorët”, tha ai.
Auron Doli, nga grupi “Asnjë cent më shumë” po ashtu bëri thirrje që kësaj proteste ti bashkohen të gjithë.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, studentëve, që të na bashkohen. Varfërimi i klasës punëtore ka ecur paralelisht me rritjen e inflacionit dhe çmimit të energjisë elektrike. Edhe ne bëjmë thirrje që të na bashkohen të gjithë qytetarët”, tha ai.
Më parë, Sindikata e Re e Korporatës së Energjisë së Kosovës në njoftimin për organizimin e protestës më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bëri të ditur se do të kërkohen paga më dinjitoze dhe kushte më të mira pune për punëtorët e sektorit energjetik.
Kjo Sindikatë po ashtu theksoi se puna e tyre përmban lodhje ekstreme, rrezik të përhershëm dhe sakrificë të përditshme, duke theksuar se “kjo punë nuk ka para që mund ta paguajë”.
Për të ilustruar realitetin e vështirë, sindikata ka shpërndarë edhe një fotografi të një punëtori me fytyrë të mbuluar nga pluhuri i zi, simbol i kushteve të rënda, në të cilat punojnë minatorët dhe teknikët e KEK-ut.
“Protestojmë për një pagë dinjitoze dhe respekt për punën tonë”, thuhet në thirrjen publike, ku organizatorët ftojnë qytetarët dhe përfaqësuesit sindikalë të solidarizohen me kërkesat e tyre.
Në protestën e nesërme, siç thuhet në një njoftim për media, do të merr pjesë edhe Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja”, organizata të tjera, iniciativa Një cent më shumë , aktiviste dhe aktivistë të pavarur në koordinim me sindikatat e punëtorëve.