Në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është propozuar ish-sekretari i Ministrisë së punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma që të intervistohet i pari nga ky komision, të premten me 5 korrik në ora 10:00.
Në këtë mbledhje, gjithashtu, u kërkua që të procedohet edhe lista me detyra ndaj tre ekspertëve, emrat e të cilëve janë miratuar në mbledhjen e kaluar të komisionit, Gëzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkëlqim Jakupi.
Isma është propozuar nga deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.
“Është mirë edhe deputetët me u përfshi në përpilimin e listës së dëshmitarëve, në mënyrë që me arrit të ftojnë njerëzit që ne mendojmë që munden me kontribu për tema të caktuara të cilat duan të dinë se çka ka ndodhur apo si ka ndodhur..5:25 Sipas diskutimeve që i kemi pasur në vazhdimësi në komision hetimor, kam parë që goxha shumë debati është sillë rreth një emri që është ish-sekretari i Punëve të Jashtme dhe besoj që ky person mund të jetë emri i cili do të mund ta nisë këtë vazhdën e dëshmive në kuadër të komisionit hetimor”, ka propozuar Kryeziu-Hyseni.
Ndërsa, deputetja nga LDK-ja, Vlora Dumoshi ka propozuar që në ditë të jenë nga tre dëshmitarë prezent në komision, ndërsa ekspertët të ftohen në takim për t’u njoftuar me ta.
“Ekspertët të ftohen menjëherë në një takim, të njoftohemi me ta, kurse propozoj që në takimet te lista e dëshmitarëve si pika dy, hartimin e listës së dëshmitarëve, të kemi bile në ditë nga tre dëshmitarë që të jenë prezent në komision, sa më shumë që të ketë puna jonë do të jetë më e shpejtë, hartimi i eksperteve do ta bëjë pastaj punën e vet”, ka shtuar Dumoshi.
Po ashtu, deputeti nga VV-ja, Haxhi Avdyli ka theksuar që Isma ka shumë për të dëshmuar.
“Kemi pak javë në dispozicion që të intervistojmë ndonjërin dëshmitarë… Unë mendoj që ish- sekretari ka shumë për të dëshmuar dhe besoj që ky takimi mund të merret me dëshminë e tij, por edhe për takime të tjera, pse jo të kemi nga dy dëshmitarë”, ka vijuar ai.
Kurse, nga sot do të bëhet analiza e materialit për dëshmitarët. /KP