Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të mërkurën se ka përmbyllur paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. ZPS-ja i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ai që njihet si gjyqi i madh nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Në njoftimin zyrtar të mërkurën më 16 prill, ZPS-ja tha se thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë.
Shumë prej tyre dëshmuan nën masa mbrojtëse dhe pa iu bërë publik identiteti.
“ZPS-ja paraqiti rreth 3.000 prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1.430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha se “në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima”.
Në njoftimin e mbylljes së çështjes, prokurorja e specializuar Kimberli Uest tha se “gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit”.
“Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta”, tha Uest.
Prokurorisë në Hagë iu deshën dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor që të mbyll çështjen e saj gjyqësore.
Pas kësaj do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e caktuar për datën 23 prill.
Deri më tash dihet se mbrojtësi i viktimave do të thërras disa dëshmitarë.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Ndërkaq, avokatët mbrojtës hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së janë shprehur optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv.
Katër ekipet mbrojtëse do të kërkojnë rrëzimin e pjesëve të caktuara të aktakuzës, ku përfshihen pretendime për krime lufte në Kosovë./KP