Përgatiti: Arian Hajdaraj
Me “Kosova dhe Metohija” në Serbi gjithmonë i referohen Republikës së Kosovës.
Por, me këtë term, iu referuan vendit edhe në një institucion që konsiderohet të jetë i saj, respektivisht Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në Hagë.
Në një dokument të muajit shkurt 2023, përshkruhet se duke iu drejtuar Sefer Goxhulit, njëri nga dy hetuesit e ZPS-së të cilët po e intervistonin e përmendën emrin për çka i intervistuari ishte ankuar më pas, përmes avokatit të popullit.
“Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’. Në atë moment, ankuesi nuk ngriti ndonjë kundërshtim dhe shqetësim në lidhje me përdorimin e shprehjes ‘Kosovë dhe Metohi’, pasi u këshillua të mos e bënte këtë nga mbrojtësi i tij. Megjithatë, në fund të intervistës, ai shprehu shqetësimin e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion”, thuhet në ankesën e Avokatit të Popullit.
Në përgjigjen ndaj ankesës, ZPS aso kohe kishte pranuar se hetuesi e kishte përdorur termin, por gabimisht. Por, Goxhuli, po në atë ankesë, shprehej i bindur se nuk ishte vetëm lëshim.
Ankuesi gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument ku përdorej termi.
Me apo pa qëllim, përdorimi i këtij termi sipas njohësve të punës së këtij institucioni, konsiderohet shkelje e rëndë.
“E konsideroj si një skandal, dhe si një tendencë për ta zhvleftësuar sistemin juridik të Kosovës. Konsideroj që Institucionet e Kosovës, qeveria që do themelohet, se kjo që ishte nuk interesohej, do duhej t’ia shkruante një letër, kryetares së dhomave të specializuara”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.
Kjo shpërfaq edhe diçka tjetër, thotë një tjetër avokat.
“Është e papranueshme dhe e pafalshme. Kjo shpërfaqë faktin se prapa këtij procesi qëndron Serbia”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Sefer Goxhuli, në kohën kur u intervistua, siç kupton ATV, ishte shef i një departamenti në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.