Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku ka premtuar lidhje më të forta mes arsimit profesional dhe tregut të punës, nëpërmjet bashkëpunimit të komunës me sektorin privat dhe shkollat profesionale.
Alban Hyseni, kandidati për një mandat të dytë në krye të Gjilanit, ka premtuar mbështetjen për gratë dhe vajzat për nisma që promovojnë artin dhe ruajnë trashëgiminë kulturore.
Kadri Rahimaj, kryetari aktual i Kamenicës dhe kandidat për një mandat të dytë, u zotua për zhvillim të mëtejshëm të çdo lagjeje e fshati, duke e cilësuar votën si investimi për të ardhmen e komunitetit.
Faton Peci, kandidat për Mitrovicën, ka prezantuar projektet për lagjen “2 Korriku”, përfshirë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, ndriçimin publik, trotuare të reja, hapësira sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Artan Abrashi, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka përqendruar fushatën në thirrjen për votë dhe mbështetje për listën e LVV-së në nivel komunal.
Qemajl Aliu, që kërkon një mandat të dytë në Shtime, ka paraqitur pesë projekte madhore, përfshirë ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, objektit të ri të komunës, , ndërtimin e unazës së madhe për lehtësimin e trafikut.
Arsim Ademi, kandidat për kryetar të Vitisë, është zotuar për funksionalizimin e Teatrit të qytetit, mbështetje për grupet artistike dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Kurse, Valon Hoti, kandidat për Malishevë premtoi përkrahje të fortë pas zgjedhjeve për ta kthyer bujqësinë në shtyllë zhvillimi për Malishevën.