Organizatorët e Prishtina Tournament 2025 kanë njoftuar se turneu i futbollit për fëmijë “Prishtina Tournament 2025”, do të zhvillohet në një lokacion dhe datë të re.
Me rekomandim të Komunës së Prishtinës, ngjarja zhvendoset nga Sheshi “Ibrahim Rugova” në Sheshin “Adem Jashari”, ndërsa do të mbahet nga data 7 gusht deri më 14 gusht 2025.
Sipas njoftimit, ky ndryshim është bërë për arsye organizative dhe teknike, me qëllim që pjesëmarrësit dhe vizitorët të kenë kushte më të mira, ndërsa përveç ndeshjeve të futbollit, turneu do të përfshijë aktivitete argëtuese.
Njoftimin e plotë të organizatorëve mund ta lexoni më poshtë:
Me rekomandim të Komunës së Prishtinës dhe në bashkëpunim me grupin punues të organizatës sonë, kemi marrë vendim që të ndryshojmë lokacionin dhe datën e Prishtina Tournament – Turneu i Verës 2025.
Lokacioni i ri:
Nga Sheshi “Ibrahim Rugova” → në Sheshin “Adem Jashari” (vetëm 100 metra më lart).
Data e re:
Nga 7 gusht 2025 deri më 14 gusht 2025 (e enjte – e enjte).
Kjo shtyrje nuk është bërë lehtë, por vjen si rezultat i përkushtimit tonë të plotë për të garantuar standardin më të lartë të organizimit, si në aspektin teknik, ashtu edhe atë logjistik.
Aktualisht, jemi duke punuar me përpikëri në disa komponentë kyç të turneut, për të ofruar një përvojë sa më cilësore dhe të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit dhe spektatorët:
Arsyet kryesore të zhvendosjes të lokacionit:
- Organizimi paralel i koncerteve dhe festivalit “Akull n’Verë”, e bën të pamundur sigurimin e hapësirës së duhur për një organizim madhështor si në vitet e kaluara në sheshet “Zahir Pajaziti” dhe “Ibrahim Rugova”;
- Qasja e kufizuar për shërbime emergjente (ambulanca, zjarrfikës, polici) për shkak të shtyllave mbrojtëse dhe instalimeve të përhershme në shesh;
- Pengesa në qarkullimin e qytetarëve, veçanërisht për karrocat e fëmijëve dhe personat me nevoja të veçanta, pas vendosjes së tribunave dhe pajisjeve shtesë;
- Zhurma dhe muzika nga aktivitetet e tjera në Sheshin “Skënderbeu” do të ndikonin negativisht në rrjedhën e ndeshjeve dhe përqendrimin e sportistëve;
- Si dhe arsye të tjera të karakterit teknik dhe organizativ, që ndikojnë në cilësinë e përgjithshme të ngjarjes, përfshirë:
- Ndërtimin e tribunave moderne për shikuesit, që do të ofrojnë komoditet dhe siguri maksimale;
- Instalimin e ndriçimit LED dhe elementëve vizualë të marketingut, për ta ngritur nivelin estetik dhe promovues të ngjarjes;
- Kujdesin ndaj cilësisë së fushës së gjelbër, në mënyrë që atletët të kenë kushte optimale për lojë;
- Mirëqenien dhe sigurinë e sportistëve, një prioritet që gjithmonë e kemi vendosur në qendër të vëmendjes;
- Krijimin e një ambienti mikpritës dhe të sigurt për vizitorët, familjet dhe fëmijët që do të jenë pjesë e këtij aktiviteti.
Çfarë të prisni në lokacionin e ri:
- Një hapësirë më e përshtatshme për zhvillimin e turneut më të madh të futbollit për fëmijë në zemër të kryeqytetit.
- Partneritet i fuqishëm me Komunën e Prishtinës, dhe mbështetësit tanë Premium, Gold dhe Silver.
- Befasi të shumta dhe një përvojë unike për të gjithë pjesëmarrësit dhe spektatorët.
Së shpejti: Prezantimi i ekipeve dhe aktiviteteve të turneut
Në ditët në vijim, do t’ju prezantojmë me ekipet seniore dhe ekipet pjesëmarrëse të grupmoshave, së bashku me ndarjen në grupe dhe orarin zyrtar të ndeshjeve.
Turneu do të përfshijë vetëm 16 ekipet më të mira të viteve të fundit në futsall, duke garantuar një nivel të lartë gare dhe emocion të vërtetë sportiv.
Do të garojnë gjithashtu ekipet e grupmoshave:
- U9, U10, U11 dhe U13
- Ekipet e vajzave, të cilat do të zhvillojnë ndeshje në fazat çerekfinale dhe finale
- Ndeshjet revyale, siç janë bërë tashmë pjesë tradicionale e turneut
Përveç ndeshjeve, do të organizohen shumë aktivitete argëtuese, që do ta bëjnë këtë edicion të veçantë dhe të paharrueshëm për të gjithë:
- Aktivitete për fëmijë dhe familje
- Zonë e dedikuar për fansa (fanzone)
- Dhurata dhe lojëra shpërblyese nga bizneset dhe sponsorët tanë, që janë pjesë e këtij edicioni si PrishtinaMall dhe TresorX.
Ky turne nuk është thjesht një garë sportive; është një ngjarje që ndërton bashkësi, që feston sportin dhe kulturën, dhe që reflekton vlerat tona të përbashkëta. Për këtë arsye, ne synojmë të ofrojmë një organizim dinjitoz, profesional dhe të nivelit më të lartë, sepse kjo është ajo që na përfaqëson dhe na bën krenarë të gjithëve.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Mezi presim t’ju mirëpresim në Prishtinë më 7 gusht për të filluar së bashku një javë të paharrueshme sporti dhe argëtimi!
Me respekt,
TournamentPR