Të premten e 1 shtatorit, Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen për subvencionim me nga 70 euro të familjeve të Prishtinës, për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private.
Por kjo do të vlejë vetëm për familjet që gjenerojnë të ardhura mujore më pak së 500 euro.
“Kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës, në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa. Pra, secila familje e Prishtinës, që ka fëmijë të moshës nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe ka të hyrat familjare nën 500 euro, do të përfitojë 70 euro për të regjistruar fëmijën e tyre në cilëndo çerdhe private të licencuar të Prishtinës”, tha drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.
Sipas saj, përmes këtij subvencionimi do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje në Prishtinë.
“Ne kemi ndarë 100.000 euro për financim të fazës së parë, por varësisht nga numri i aplikimeve do të rrisim edhe buxhetin. Prandaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të Prishtinës që të hyrat familjare i kanë nën 500 euro, të aplikojnë në thirrjen e hapur për subvencionim, e cila tanimë është në ueb-faqe të Komunës së Prishtinës dhe në rrjetet tona sociale”, ka thënë Musmurati.
Të gjithë qytetarët mund ta bëjnë aplikimin edhe në sportelin numër 5, në objektin e Komunës së Prishtinës.
Kategoritë të cilat do të kenë përparësi janë nënat vetushqyese, fëmijët bonjakë, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të luftës së UÇK-së, si dhe fëmijët e veteranëve të luftës së UÇK-së. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: