Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, përmes një postimi ka bërë të ditur se komuna ka caktuar lokacionin për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit në kryeqytet.
Ai ka njoftuar edhe se për këtë komuna ka pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari.
Postimi:
Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”
Nderim i përjetshëm për sakrificën që vulosi lirinë tonë
Sot, në seancën solemne të Kuvendit të Kryeqytetit, përkujtuam dhe nderuam sakrificën e pavdekshme të familjes Jashari – një akt trimërie që shënoi pikë kthese në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.
Mirënjohja e dorëzuar familjes Jashari nuk është thjesht një simbol, por një zotim i Kryeqytetit se sakrifica e tyre do të mbetet përherë në themelin e shtetit tonë, në ndërgjegjen kombëtare dhe, mbi të gjitha, në zemrat tona.
Me përkushtim të plotë për të ruajtur dhe nderuar këtë trashëgimi, Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”, lokacion për të cilin kemi pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari.
Ky monument do të qëndrojë si dëshmi e përjetshme e lavdisë dhe heroizmit të tij.