Irina Çishiq, e lindur më 8 tetor të vitit 1993, u qëllua nga një plumb snajperi në kryeqytetin e Bosnjës në Sarajevë, katër ditë pasi mbushi 1 vjeç.
Prindërit e saj, tani kërkojë të dinë nëse ‘vajza e tyre u vra’ në ‘gjuetinë e snajperëve’ – një nga temat më të raportuara orët e fundit në mediat botërore, për atë se gjatë luftës në Bosnjë, ‘njerëzit e pasur kishin paguar për të qëlluar mbi njerëz veç për qejf’.
“Meqë Irina sapo kishte mësuar të ecte, gruaja ime Stana e mbante për dore. Kurrë nuk e kuptuam pse dikush do të qëllonte drejt një shënjestre 50–60 centimetra të gjatë sa një vajzë njëvjeçare – në vend të një shënjestre shumë më të madhe, siç është gruaja ime, që do të ishte më e lehtë për t’u goditur”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) babai i Irinës, Samir Çishiq.
Për tri dekada, prindërit e vajzës së vrarë kërkojnë një përgjigje: a u vra vajza e tyre vetëm për të shkaktuar më shumë dhimbje dhe vuajtje?
Sipas gazetave Il Giorno, La Repubblica dhe agjencisë ANSA, prokurorët po hetojnë pretendimet se gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë (1992–1995), pasanikë të huaj kanë paguar “shuma të mëdha parash” për të qëlluar me armë “për pikën e qejfit” civilë në Sarajevën e rrethuar.
Sarajeva u rrethua nga Ushtria e Republikës Sërpska nga viti 1992 deri në vitin 1995. Rrethimi që zgjati 1.425 ditë, ishte një nga më të gjatët në historinë moderne evropiane.
Më shumë se 1.600 fëmijë u vranë dhe 14.000 u plagosën.







