Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar raportin e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian, për zgjedhjet e 9 shkurtit nga eurodeputetja Nathalie Loiseau.
“Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.
Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm”, njoftoi Presidenca.
Eurodeputetja Loiseau ka përgëzuar pjekurinë e qytetarëve të Kosovës si dhe bashkëpunimin e ofruar për misionin vëzhgues.
“Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend”, thuhet në njoftim.