Përgatiti: Arton Hamiti
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova së bashku me Shtetet e Bashkuara ta përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pasi tha se marrëveshja drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur gjatë këtij viti nuk është perfekte, Osmani e cilësoi obligim ndërkombëtar që duhet përmbushur.
“Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit”, tha Osmani.
Komenti i Bashkimit Evropian në lidhje me qëndrimin e presidentes Osmani për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, ishte i shkurtër.
“BE-ja ua ka prezantuar idetë dhe pritjet partnerëve në disa raste, së fundi madje në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në komentin e BE-së.
Teksa e cilësoi si hap pozitiv të presidentes, politologu Fidan Ukaj vlerëson se nuk është momenti i duhur të flitet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Deri më tani, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë qarkulluar drafte si: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, ekip ky që u shkarkua më pas, draft-vizioni i kryeministrit Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit Edi Rama, dhe draft-statuti i hartuar nga një organizatë gjermane.
Derisa Qeveria e Kosovës frikësohet se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit, faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.







