19.8 C
Pristina
Thursday, May 15, 2025
Banner

Pranohen në prova disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona e Dukagjinit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në çështjen gjyqësore në të cilën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte, është marrë vendim që të pranohen në prova materiale disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona Operative e Dukagjinit.

Vendimi është marrë më 13 maj 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III dhe në mesin e dokumenteve të pranuara pretendohet se ka dosje për Njësinë Speciale të kësaj Zone, duke përfshirë emrat dhe detajet personale për pjesëtarët, komandantët e saj, detyra dhe oraret e ndërrimeve, armët dhe mocionin në dispozicion, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas panelit, këto dokumente që pretendohet se i përkasin kësaj strukture janë të shkruara me dorë, mbajnë datë dhe disa prej tyre edhe tituj si “UÇK, Njësia Speciale”.

Pastaj, ishin propozuar edhe dokumente që thuhet se kanë të bëjë me Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit si “UÇK, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit”. Sipas vendimit, Prokuroria ka thënë se ato dokumente tregojnë për ngjarjet në terren, duke përfshirë edhe aktivitetin e kundërshtarëve, lëvizjen e civilëve dhe aktivitetin e vet pjesëtarëve të UÇK-së.

Gjithashtu, thuhet se këto dokumente kanë datë dhe përmbajnë tregues të mjaftueshëm të autenticitetit. Njëri prej dokumenteve, thuhet se përmban lista të detajuara për armët, duke përfshirë numrat serik dhe emrat personave të cilëve iu është caktuar arma.

Sipas vendimit, dokumentet e tilla që janë dorëshkrime, përmbajnë edhe tituj si “UÇK – Armatimi”.

Si rrjedhojë, për një grup dokumentesh, ku përfshihen edhe dokumentet e mësipërme, paneli i ka pranuar në prova materiale, ndërsa ka refuzuar dokumentet e propozuara 114, 115, 118 dhe 120-120A.

Kurse, dëshmitë e propozuara nga 121 deri në 127 dhe 129 deri në 192 flasin për shtabet lokale dhe brigadat gjatë periudhës së pranverës dhe verës më 1998.

Për dokumentet 128 dhe 139, u udhëzua ZPS-ja që të sigurojë përkthime të rishikuara pasi që nuk janë të tilla.

Në mesin e dokumenteve, sipas vendimit, ZPS-ja ka thënë se disa dëshmojnë edhe njësitet inteligjencës dhe Policisë Ushtarake që ishin themeluar brenda shtabeve lokale nën drejtimin e Zonës Operative të Dukagjinit. Në ato, thuhet se ka pasur informacione edhe për përleshjet e vazhdueshme midis UÇK-së dhe forcave serbe në këtë zonë.

Në anën tjetër, njëra prej dëshmive të propozuara ishte një procesverbal i një mbledhjeje që ka ndodhur në fshatin Baballoq, ku thuhet se ka marrë pjesë edhe Shefi i Shtabit të kësaj zonë. Në këtë mbledhje, thuhet se shefi i Shtabit ishte informuar mbi situatën në fshat dhe ishte diskutuar për çështje të mobilizimit të përgjithshëm, dezertimet dhe furnizimet me ushqim.

Ndërsa, në mesin e dokumenteve kishte edhe kërkesa për furnizim me ushqim për ushtarët, që njëra prej tyre ishte për ata në fshatin Sverkë.

Lidhur me këto dokumente, paneli ka thënë se janë relevante për strukturën dhe organizimin e UÇK-së në këtë Zonë, si dhe për bashkëpunimin në mes komandës dhe komandave vartëse.

“Sa i përket provës së propozuar 153, trupi gjykues vëren se ajo përmban një kërkesë drejtuar Komandantit Ramush Haradinaj për sigurimin e armëve, e cila tregon një datë dhe vend lëshimi, i përmend personat që bëjnë kërkesën dhe tregon se ata janë anëtarë të UÇK-së”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, paneli ka pranuar dëshmitë 121 deri në 127 dhe 129 deri në 166, e po ashtu 168 deri në 182 dhe 184 deri në 192. Ndërsa, ato 144, 167 dhe 183, janë refuzuar.

Ndërsa, për provat 193 deri në 201, 203 deri në 208, 219 deri në 215 dhe 217 deri në 240, thuhet se ZPS-ja pretendon se lidhen me strukturën dhe organizimin e UÇK-së, e po ashtu edhe atë në Zonën Operative të Dukagjinit në periudhën nga mesi i shtatorit të 1998-ës deri në vitin 1999.

Dokumentet 204 deri në 208, Prokuroria kishte thënë se kanë vulën e Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe janë sekuestruar nga banesa e Jakup Krasniqit. Për këtë, paneli ka thënë se kanë tregues të origjinës dhe burimit të tyre.

Ndërsa, dokumentet e propozuara 214 dhe 215, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar nga banesa e Rexhep Selimit dhe se janë raporte të lëshuara nga sektori i inteligjencës, për çka paneli ka thënë se kanë autenticitet dhe e përmbushin pragun ,,prima facie”.

Dokumenti 220, thuhet se mban në krye një titull “Policia Ushtarake- UÇK” dhe përmban detaje për dezertorët, ndërsa dokumenti 225 është sekuestruar nga banesa e Jakup Krasniqit. Të dy këto dokumente sipas panelit kanë tregues të qartë të autenticitetit.

“Për arsyet e përmendura më sipër, trupi gjykues vendos si vijon:(a) E PRANON pjesërisht kërkesën; (b) PRANON si prova në procedurë artikujt vijues, ose pjesë të identifikuara prej tyre, dhe çdo përkthim të lidhur: Eksponatet e Propozuara 1-14, 16-113, 116, 117, 119, 121-127, 129-166, 168-182, 184-195, 197-201, 203-208, 210-215, 217, 218, 220-237, 241-258 dhe 260-353; (c) REFUZON pranimin si prova të artikujve ose pjesëve të identifikuara prej tyre vijues: Eksponatet e Propozuara 114-115, 118, 120-120A, 144 (fq. U001‐5871), 167, 183, 196, 200 (fq. U009-2017-U009-2024 dhe U009-2035-U009-2060), 219, 238-240, 243 (fq. U009-1732, U009-1737 dhe U009-1739-U009-1740), 245 (fq. U009-1928, U009-1934-U009-1935, U009-1937-U009-1939 dhe U009-1941-U009-1942), dhe 247 (fq. U009-1828, U009-1833-U009-1834, U009-1840-U009-1841, U009-1848-U009-1854 dhe U009-1856)”, thuhet në vendim.

Vendimi obligoi Prokurorinë që të ofrojë përkthimin e rishikuar për disa dokumente të cilat janë ofruar që të pranohen në prova materiale.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA