Politikanë e bashkëpunëtorë kanë vizituar të hënën familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi. Ata kanë shprehur ngushëllime dhe e kanë kujtuar atë si njëri me vlera të larta.
Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi tha se Haxhi Thaçi ka udhëhequr jo vetëm familjen e tij por ka kontribuar edhe në edukimin e brezave.
Ai nënvizoi se dhimbja ishte edhe më e madhe për shkak të mungesës së Hashim Thaçit, i cili ndodhet në Hagë duke u përballur me një proces të tejzgjatur gjyqësor.
“Do ta kujtojmë gjithmonë për vlerat e jashtëzakonshme që i ka pasur. Ka qenë një njeri që vërtetë i them më shumë se një prind i njeriut që ka udhëhequr edhe procesin e çlirimit dhe pavarësimit të vendit, por një karakter epik, ashtu siç e kemi mësuar edhe në të kaluarën, dhe në traditën tonë, ata shqiptarët e mirë, të vërtetë që kanë ditur të edukojnë jo vetëm familjet e tyre, por gjithë brezat. Ka qenë një njeri që gjithmonë ka qenë i buzëqeshur, dashamirës, një njeri që na ka përkrahur gjithmonë. Fjalët dhe këshillat e tij dhe kujtimet me të do t’i mbajmë gjithmonë si shumë të veçanta. Na vjen keq se kjo është një vdekje që bëhet edhe më e rendë për shkakun e mungesës së presidentit Thaçi. Së paku ai pati mundësinë që para ka ditësh ta takojë për herën e fundit babain e tij, por vërtetë kjo dhembje shkon e rritet për familjen, e neve të gjithëve për shkakun e mungesës së presidentit Thaçi. Kujtimi për bacën Haxhi do të jetë i përhershëm”, tha Krasniqi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në Burojë për ta ngushëlluar familjen e presidentit Hashim Thaçi, tha se është padrejtësi që ai nuk është afër familjes.
“Para një kohe kam qenë këtu në familje. Në atë kohë kam ardhur se nëna ishte e sëmurë dhe në gjendje jo të mirë. Kuptohet, ishte edhe takimi i fundit, biseda e fundit që kam pasur me babën Haxhi. Dhimbja po rritet, ne jemi shqiptarë, na vjen keq kur familjet tona kalojnë këto dhimbje, kuptohet edhe kur bëhen këto padrejtësi, si rasti i presidentit që nuk është këtu me familjen. Besoj shumë që nga ajo vuajtje, dhimbje e sakrificë do të nxjerren mësimet më të mira të shqiptarëve me ia kushtu atdheut, lirisë në vazhdimësi”, tha Haradinaj.
Ish nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj gjatë vizitës së tij për ngushëllime është shprehur se dhimbjen e familjes po e shton fakti që Hahsim Thaçi ndodhet në Hagë.
“Vet fakti që ka një djalë, i dha një djalë Kosovës, i cili kaloi në të gjitha proceset dhe të gjitha i përfundoi me nderë, është një vepër, që edhe nga ana fetare thuhet se jeton dhe të cilit i bënë lavdi e përjetshme. Këtë dhimbje e shton sot, vet pozita e Hashim Thacit ku gjendet sot dhe djemve të tjerë që janë atje”, është shprehur Haradinaj.
E kushëriri i familjes Thaçi, Milazim Thaçi rrëfeu kujtimet me të ndjerin.
“Tash së fundmi, unë kam qenë shumë me të, po qysh nuk jemi rritë, jemi plakur [bashkë]. Ai ka qenë njeri i urtë, punëtor, ka punuar shumë, i ka rritur fëmijët me skamje të rënda. Kohën e luftës shumë ka qenë i fortë edhe na jepke gajret shumë ‘hiç mos u mërzitni se Kosova ka me u çliru’. Ligsht, u mërzitke shumë, thoshte “ Hashimi, Hashimi, sikur të vinte, ma po dua ta pres”. Po ja nuk e priti”, tha ai.
Varrimi i Haxhi Thacit do të bëhet nesër në ora 15:00 ne varrezat e fshatit Burojë.
Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.
Ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur nga Haga në Kosovë.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.
Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.
Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.
Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.
Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.
Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.
Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.