Policia e Kosovës konfirmoi se aksioni i zhvilluar herët në mëngjes në Kaçanik është i ndërlidhur me vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Njësia Speciale, së bashku me hetues të krimeve të rënda, ka bastisur një barnatore në këtë qytet, nën dyshimet për veprimtari të paligjshme që mund të jenë të lidhura me hetimet për vrasjen që tronditi opinionin publik.
Më herët, Prokuroria kishte bërë të ditur se nga kamerat e sigurisë është parë që dy persona të rinj kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të rreshterit Lika, duke e lënë të vdekur. Motivet e vrasjes vazhdojnë të mbesin të paqarta, ndërsa autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.