Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka çuar në arrestimin e një personi të dyshuar lidhur me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq. Arrestimi u realizua sot në Leshak, si pjesë e hetimeve intensive mbi këtë çështje.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar lajmin, duke theksuar se operacioni ishte një bashkëpunim i ngushtë mes Policisë dhe AKI-së.
I arrestuari, i identifikuar me inicialet V.M., është një ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili ishte integruar në Policinë e Kosovës në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Autoritetet dyshojnë se V.M. ka mbështetur strukturat e sigurisë të Serbisë dhe ka luajtur një rol në kidnapimin e Milan Vukashinoviq më 1 nëntor 2025, brenda territorit të Kosovës.
Gjatë këtij kidnapimi, Vukashinoviq u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi. Sipas hetimeve, i dyshuari ka pasur kontakte me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë serbe, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime dhe ka qenë i përfshirë në përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.
Ministri Sveçla ka theksuar se asnjë individ nuk do të arrijë të shmangë drejtësinë në Kosovë dhe ka garantuar se institucionet e sigurisë kanë kapacitet të plotë për të adresuar kërcënimet dhe për të zbardhur çdo krim.






