Pesë shoferë janë ndëshkuar nga Njësitë e Komunikacionit Rrugor në rajonin e Ferizajt, pasi u kapën duke kryer kundërvajtje të rënda në trafik në Shtime dhe Ferizaj.
Sipas policisë, më 22 nëntor 2025, në rrugën “Adem Jashari” në Shtime u ndaluan tre shoferë për tejkalim të shpejtësisë dhe një tjetër për tejkalim të rrezikshëm.
I.R., 31 vjeç, u kap duke vozitur me 90 km/h në zonën me kufizim 40 km/h me veturën VW Golf. Ai u gjobit me 200 euro, mori 2 pikë negative dhe iu pezullua patentë shoferi për 3 muaj.
Y.B., 30 vjeç, i cili po lëvizte me Audi me 93 km/h në të njëjtën zonë, po ashtu u ndëshkua me 200 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj pezullim të patentës.
Ndërkohë, B.T., 40 vjeç, u kap duke kryer tejkalim në vijë të plotë me veturën Toyota dhe u ndëshkua me të njëjtën masë.
M.G., 30 vjeç, që po ngiste VW Caddy, u gjobit për përdorim të telefonit gjatë vozitjes. Policia konstatoi se kjo ishte përsëritje e kundërvajtjes, ndaj u aplikua ndëshkimi maksimal prej 200 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj pezullim të patentë shoferit.
Në Ferizaj, në rrugën “Brahim Ademi”, u ndalua edhe H.K., 39 vjeç, i cili po voziste VW Golf me 100 km/h në zonën ku kufizimi është 50 km/h. Edhe ai u ndëshkua me 200 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj pezullim të patentës.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, duke theksuar se shpejtësia e lartë, tejkalimet e pasigurta dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes rrezikojnë seriozisht jetën dhe pronën e qytetarëve.







