Një debat i ashpër u zhvillua në emisionin CONTEXT në ATV, ku profesor i sigurisë, Fatmir Çollaku, dhe kandidatja për deputete nga PDK, Besa Kabashi-Ramaj, u përplasën mbi procesin e transformimit të FSK-së në ushtri dhe përjashtimin e saj nga programet trajnuese ndërkombëtare.
Çollaku argumentoi se përjashtimi i fundit i Kosovës nga trajnimet ushtarake nuk kishte ndikim operativ, por më shumë politik, pasi ky vendim u mor në një fazë të vonë të procesit.
“Përjashtimi në aspektin ushtarak dhe operativ është bërë në ditët e fundit, kur nuk kishte më çfarë të konsumohej nga trajnimet. Efekti ka qenë më shumë politik se sa ushtarak, pasi vendimi është marrë në fazën finale”, tha Çollaku, duke insistuar se kjo nuk e dëmton kapacitetin e përgjithshëm të ushtrisë.
Megjithatë, Kabashi-Ramaj nuk u pajtua me këtë vlerësim, duke thënë se transformimi i FSK-së në ushtri nuk ka ndodhur me përpikëri dhe se problemet e menaxhimit logjistik janë tregues të mangësive serioze në këtë proces.
“Transformimi i FSK-së në ushtri kërkon menaxhim të mirëfilltë të sektorit të mbrojtjes. Në momentin që nuk je në gjendje të menaxhosh një kontratë të thjeshtë, siç është ajo e ushqimit apo veshmbathjes, atëherë ke probleme serioze në funksionimin e ushtrisë. Logjistika është elementi kyç i suksesit në çdo operacion ushtarak”, tha Kabashi-Ramaj.
Debatin e plotë mes Fatmir Çollakut dhe Besa Kabashi-Ramajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: