Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” dhe Parlamenti i Studentëve të UP-së kanë ndezur sonte qirinj në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Kosovë dhe i bënë thirrje Qeverisë të punojë për argumentimin e krimeve të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bujar Dugolli ka thënë se paqja mes popujve do të arrihet vetëm kur Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera dhe akterët e krimeve të vendosen para drejtësisë.
“Dimri i vitit 1999-të ishte i përgjakshëm për shqiptarët e Kosovës, jo vetëm për masakrën që ndodhi ndaj shqiptarëve në Reçak, por edhe për shumë krime e masakra që ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mos të harrojmë se gjenocidi ndaj shqiptarëve është bërë edhe dimrat e viteve tjera, që dimrin e vitit 1877, 1878 ku u dëbuan me dhunë dhe u pastruan etnikisht mbi 700 vendbanime shqiptare nga sanxhaku i Nishit, për të vazhduar në dimrin e vitit 1912/13 për të bërë spastrimin etnik dhe dëbimin dhe vrasjen masive të shqiptarëve kur Serbia pushtoj Kosovën në luftën e parë ballkanike… Kulmoi në fund të shekullit XX me atë që nuk e njeh ndonjëherë historia e Kosovës, që mbi 10 mijë civil u vranë, mbi 1 milion shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga vatrat e tyre, u dhunuan seksualisht mbi 20 mijë vajza dhe gra shqiptare, vetëm se ishin shqiptarë”, tha ai.
Ai i ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve që të mos harrohen këto krime që ka shkaktuar shteti serb. Derisa kërkon nga institucionet përgjegjëse të punojnë më shumë në këtë drejtim.
“Lutemi që këto krime të mos harrohen dhe të punohet në drejtim të argumentimit të këtij gjenocidi që aktorët siç është shteti serb që ka kryer këtë gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës të përgjigjet kurdoherë. Paqja e vërtetë mes popujve do te ndodhë kur shteti serb kërkon falje për atë që ka bërë, dhe akterët e këtyre krimeve të gjenocidit vendosen para drejtësisë. Pra, nuk ka paqe pa drejtësi”, tha ai.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i studentëve në Parlamentin Studentor, Florent Ramusa është shprehur i shqetësuar me neglizhencën e qeverisë për zbardhjen e këtyre rasteve, derisa ka kërkuar nga të njëjtit me shumë punë në këtë drejtim.
“Ne shprehim shqetësimin për neglizhencën e Republikës së Kosovës konkretisht qeverisë. Me miratimin e rezolutës në vitin 2019 nuk ka marrë ndonjë hap konkret për zbardhjen e rasteve…Kërkojmë që këto masa të merren me një trajtim urgjent. Ne nuk harrojmë, dhe do të punojmë derisa këto çështje qoftë nga kjo qeveri apo të ardhshmet të marrin masa urgjente për zbardhjen e këtyre masave”, tha ai.
Ndryshe, Parlamenti Studentor rezoluta, e miratuar qe nga viti 2019, nuk është shoqëruar me hapa konkretë për zbardhjen e këtyre rasteve dhe dënimin e personave përgjegjës.
Parlamenti Studentor falënderon Qendrën Plagë e Hapur më Kosovë për bashkëpunimin e tyre, i cili simbolizon dhe thekson angazhimin për të mos harruar atë që ka ndodhur. /kp