Me rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodra, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.
E pranishme në këtë përurim ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Çitaku në një fjalë rasti tha se në Drenas e Drenicë flasin veprat e atyre që sakrifikuan jetën për liri.
“Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.
Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala i ka quajtur figura historike gjithë dëshmorët e martirët që dhanë çdogjë nga vetja për lirinë që sot e gëzon vendi.
Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.
Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari tha se kjo përmendore shërben për ta kujtuar luftën e drejtë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Hajdari ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, kjo është një padrejtësi tjetër që i është bërë vendit.
Drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj tha se kontributi që kanë dhënë për ndërtimin e këtij monumenti është një shenjë shumë e vogël dhe simbolike për ata që kanë dhënë jetën e tyre për liri.
Administratori në këtë fshat, Murat Elshani derisa falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për këtë monument, u shpreh se UÇK ishte dhe mbeti gjithmonë e lavdishme.
Driton Krasniqi, familjar i të rënëve ka falënderuar të gjithë për kontributin e kësaj pllake dhe për pjesëmarrjen.
Kujtojmë se më datën 30 prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth. /kp