Përgatiti: Kastriot Tahiri
Gazetari Nuhi Bytyçi ka vazhduar dëshminë e tij, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Ai sërish insistoi që kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze.
“Qëllimi ynë ishte që ta prezantojmë në mënyrë sa më serioze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para opinionit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar. Ne provuam që ta bëjmë një xhirim në Luzhnicë të betimit. E bëmë një xhirim por ne nuk ishim të kënaqur me atë xhirim, për këtë arsye e kemi organizuar xhirimin në Kleçkë më 26 qershor të viti 1998, duke i sjellë shumë ushtarë edhe nga zonat e tjera, edhe nga Drenica edhe nga brigadat e tjera të Zonës së Pashtrikut dhe Drenicës”, ka deklaruar Bytyçi.
Ndërkaq, në përfundim të dëshmisë së tij, Bytyci kërkoi që libri i tij të mos merret si bazë që të dënohen ish-krerët e UÇK-së.
“Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate”, ka deklaruar më tej Bytyçi.
I ashpër në kundërpërgjigje ishte kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili mes tjerash ia ndërpreu fjalën Bytyçit duke i kërkuar disa herë edhe të ndalonte e të dalë nga salla, në të kundërtën e kërcënoi se do ta nxirrte jashtë me trupa të sigurimit.
Gjykatësi: Të lutem, të lutem…po futeni në materialet të cilat i keni shtjelluar gjatë dëshmisë tuaj, faleminderit, mund të largoheni nga salla.
Nuhi Bytyqi: Faleminderit për mundësinë që ma dhatë. Doja të shprehja opinionin tim se si gazetar që kam pas.
Gjykatësi: E keni thënë këtë…. dëshmitar… dëshmitar të kam fikur mikrofonin. Të lutem largohuni nga salla tani.
Nuhi Bytyqi: Duke përcjellë si gazetar i pavarur dy procese gjyqësore, të Limajt dhe Haradinajt.
Gjykatësi: Dëshmitar, në qoftë se nuk do të dalësh tani, do t’i them sigurimit t’ju nxjerrë nga salla.
Përveç Bytyçit, gjatë të enjtes dëshmoi edhe dëshmitari i 72-të, serbi Zoran Stankoviq. Gjatë dëshmisë, Stankoviq tha se gjatë luftës ai së bashku me vëllain e tij janë arrestuar nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së.






