Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i partisë ‘Guxo’, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pretendimet për ekzistencën e një “liste të bijave” në procesin e ndarjes së granteve janë të pavërteta dhe përbëjnë shpifje.
Ai tha se përfituesit e granteve përzgjidhen në bazë të kritereve profesionale dhe të verifikueshme, që vlejnë njësoj për të gjithë aplikuesit.
“Nuk ekziston diçka e tillë si ‘lista e bijave’. Kriteret për grante janë të qarta: dokumentacioni i nevojshëm, përmbushja e kushteve teknike dhe administrative, si dhe pikëzimi bazuar në planin e biznesit dhe kapacitetin e fermerit. Kushdo që i plotëson këto, është i barabartë në proces. Gjithçka tjetër është shpifje”, deklaroi Peci.
Ai tha se përpjekjet për ta njollosur këtë proces të rëndësishëm për fermerët janë të papranueshme dhe nuk do ta ndalin përkushtimin e tij për transparencë.
“Unë e kam ndërtuar këtë proces me shumë kujdes dhe me shumë ndershmëri. Nëse dikush ka dëshmi për ndonjë parregullsi, le t’i drejtohet Prokurorisë. Por sa për fjalë boshe, ato janë për konsum ditor dhe nuk më ndalin në punën time për fermerët e Kosovës”, u shpreh Peci.
Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: