Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i partisë ‘Guxo’, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se krimi më i madh në Ministrinë që ai drejton lidhet me çështjen e pronave, ku dëmi i shkaktuar ndaj shtetit arrin në qindra miliona euro.
Ai deklaroi se një vlerësim i brendshëm ka përllogaritur se vetëm nga tjetërsimi i pronave është shkaktuar dëm mbi 500 milionë euro, por sipas tij, drejtësia ende nuk ka reaguar.
“Çështja e pronave është krimi më i madh që ka ndodhë në Ministrinë e Bujqësisë. Janë vjedhë me miliona në grante dhe subvencione, po në çështjen e pronave vlera e damit financiar… unë kam informacione të sigurta që e kap shifrën e pesëqind milionë eurove. Ne kemi bërë denoncime, kemi dokumente dhe një ekip e ka bërë vlerësimin”, deklaroi Peci.
Ai përmendi edhe rastet konkrete të pronave të rikthyera nga Ministria, përfshirë prona në Fushë Kosovë e Ulpianë, duke thënë se është dëshmi e qartë e korrupsionit sistemik.
“Vetëm në vitin 2024 ia kemi rikthy shtetit prona në vlerë prej njëzet milionë eurosh. Ndërsa prona në Ulpjanë është luani në mes të dhomës – i krimit dhe korrupsionit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, qëndron aty prej tri vitesh dhe askush nuk ndërmerr asnjë veprim”, u shpreh Peci.
Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: