Papa Françesku do të dalë nga spitali Gemelli i Romës të dielën dhe do të ketë nevojë për të paktën dy muaj pushim në Vatikan, thanë mjekët që e trajtojnë atë.
88-vjeçari u shtrua në spital më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator që rezultoi me pneumoni të dyfishtë.
Gjatë pesë javëve të fundit, ai paraqiti “dy episode shumë kritike” ku “jeta e tij ishte në rrezik”, tha Dr Sergio Alfieri, një nga mjekët që trajtonte Papën.
Papa Françesku nuk u intubua kurrë dhe mbeti gjithmonë vigjilent dhe i orientuar, tha Dr Alfieri. Papa nuk është shëruar plotësisht, por nuk ka më pneumoni dhe tani është në një gjendje të qëndrueshme, sipas mjekëve të tij.
“Sot jemi të lumtur të themi se nesër ai do të jetë në shtëpi”, u tha Dr Alfieri gazetarëve të shtunën.
Papa do të ofrojë një bekim nga dritarja e tij në spitalin Gemelli të dielën – hera e parë që ai do të shfaqet në publik që kur u shtrua në spital – përpara se të kthehet në rezidencën e tij në Vatikan.
Dr.Alfieri tha se pacientët me pneumoni të dyfishtë humbasin pak zërin dhe “sidomos te të moshuarit do të duhet kohë që zëri juaj të kthehet në normalitet”..
Nëse trendi i përmirësimit vazhdon, thonë mjekët, Papa do të jetë në gjendje të kthehet në punë sa më shpejt të jetë e mundur.
Vatikani kishte thënë të premten se Papa kishte parë disa përmirësime e frymëmarrjen dhe lëvizshmërinë e tij, shkruan BBC.