Palestinezët në Gazë e shënojnë Bajramin me mungesë ushqimi dhe me një luftë të pambarim

Palestinezët në Rripin e Gazës nuk kishin shumë për të festuar të dielën, kur nisi shënimi i festës treditore të Fitër Bajramit, pasi furnizimet me ushqim janë duke iu pakësuar me shpejtësi, ndërsa luftës mes Izraelit dhe Hamasit nuk po i shihet fundi.

Hamasi, grup militant palestinez, është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Shumë njerëz e falën namazin e Bajramit jashtë xhamive të shkatërruara të dielën.

Fitër Bajrami shënon fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit dhe duhet të jetë një ngjarje e gëzueshme, kur familjet mblidhen për festa dhe blejnë rroba të reja për fëmijët – por shumica e 2 milionë palestinezëve në Gazë po përpiqen thjesht të mbijetojnë.

“Është Bajrami i Trishtimit”, tha Adel al-Shaer pasi mori pjesë në faljen e Bajramit në natyrë në qytetin qendror të Deir al-Balah.

“Humbëm të dashurit tanë, fëmijët tanë, jetën tonë dhe të ardhmen tonë. Humbëm studentët tanë, shkollat dhe institucionet tona. Humbëm gjithçka”, tha ai.

Ai tha mes lotësh se 20 anëtarë të familjes së tij të zgjeruar janë vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë katër nipër të tij të vegjël vetëm disa ditë më parë.

Izraeli i dha fund armëpushimit me Hamasin dhe e rifilloi luftën në fillim të marsit, pasi grupi militant nuk i pranoi ndryshime në marrëveshjen e arritur në janar.

Sulmet izraelite kanë vrarë qindra palestinezë, dhe Izraeli nuk ka lejuar hyrjen e ushqimit, karburantit apo ndihmës humanitare për katër javë.

“Ka vrasje, zhvendosje, uri dhe një rrethim”, tha Saed al-Kourd, një tjetër besimtar.

“Ne dalim për të kryer ritualet e Zotit vetëm sa për t’i gëzuar fëmijët, por në lidhje gëzimin për Bajram? Nuk ka Bajram”, shtoi ai.

Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 251 pengje.

Hamasi ende po mban 59 pengje – 24 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë – pasi shumica e të tjerëve u liruan përmes armëpushimeve apo marrëveshjeve të mëparshme.

Bombardimet dhe sulmet tokësore të Izraelit kanë vrarë mbi 50.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve në statistikat e saj.

Izraeli thotë se i ka vrarë rreth 20.000 militantë, pa dhënë prova për këtë.

Lufta e Izraelit ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe, në kulmin e tyre, e ka detyruar rreth 90% të popullsisë të zhvendoset brenda vendit, në raste disa herë. /REL/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA