Pakistani ka thënë se ka rrëzuar pesë aeroplanë luftarakë të Indisë në luftimet më të rënda në më shumë se dy dekada mes dy armiqve që kanë armë bërthamore.
Pakistani tha se raketat indiane goditën tri lokalicone, ndërsa një zëdhënës ushtarak i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se pesë aeroplanë indianë janë rrëzuar nga forcat pakistaneze, pretendim që nuk u konfirmua nga India.
Megjithatë, katër burime lokale qeveritare në Kashmirin Indian i thanë agjencisë “Reuters” se tre aeroplanë luftarakë ishin rrëzuar në zona të ndryshme të rajonit në Himalaje gjatë natës.
Burimet shtuan se të tre pilotët janë dërguar në spital. Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes të Indisë nuk ishin menjëherë të qasshëm për ta konfirmuar raportin.
Në fotografi që po qarkullojnë në rrjete sociale shihej një pjesë e madhe metalike me ngjyrë argjendi e me formë cilindrike që kishte rënë në një fushë në njërën nga zonat e rrëzimit. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte menjëherë autenticitetin e fotografisë.
Pakistani tha se sulmi i forcave indiane ishte “akt flagrant i luftës” dhe se e ka njoftuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Pakistani e rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur në mënyrën e përshtatshme ndaj agresionit indian.
“Të gjitha këto përfshirje janë bërë si masë mbrojtëse” – tha zëdhënësi ushtarak pakistanez, Ahmed Sharif Chaudhry. “Pakistani mbetet shtet shumë i përgjegjshëm. Megjithatë, ne do t’i ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e nderit, integritetit dhe sovranitetit të Pakistanit, me çfarëdo çmimi” – paralajmëroi ai.
Policia dhe dëshmitarët i thanë agjencisë “Reuters” se forcat indiane dhe pakistaneze shkëmbyen edhe sulme intensive me predha e të shtëna armësh përgjatë një pjese të madhe të kufirit de fakto në rajonin e Kashmirit në Himalaje.
India dhe Pakistani i kanë zhvilluar dy prej tri luftërave të tyre që nga pavarësia më 1947 për Kashmirin që ka popullsi shumicë myslimane. Të dyja vendet pretendojnë se tërë rajoni u takon atyre, por e kanë nën kontroll vetëm pjesërisht./Nacionale