14.1 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Paçarizi: Gjuha shqipe është e rrezikuar në diasporë

Prej 14 gushtit në Universitetin e Prishtinës po mbahet Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Tema bosht e seminarit është “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.

Edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës. Albanologë e studiues te ndryshëm kane prezantuar kumtesat në të cilat kanë trajtuar çështje që lidhen me gjuhën dhe letërsinë.

Profesori Rrahman Paçarizi, në emisionin ALARM në ATV, duke folur për temën e seminarit “Shqipja në rrezik”, tha se gjuha shqipe është e rrezikuar në diasporën shqiptare.

“Sivjet ka qenë tema “Shqipja në rrezik”, një temë e cila ka qenë shumë e rëndësishme, shumë emergjente, shumë e kohës, sepse në një anë, llogaritet që shqipja nuk është një gjuhë e rrezikuar sipas parametrave të UNESKO-s për gjuhë të rrezikuara, ka një popullsi vitale, gjeografi dhe demografi aq sa nuk e lënë të jetë gjuhë e rrezikuar, por shqipja është e rrezikuar në kuptime të tjera, në diasporë për shembull. Brezi i dytë dhe i tretë i mërgimtarëve nuk kanë shumë interes për shqipen pasi që gjuha e vendit ku jetojnë është gjuha ku ata e zhvillojnë shkollimin dhe karrierën e tyre, shqipja nuk është gjuha e tyre e parë e interesimit, nuk mund të zhvillojnë karrierë përmes shqipes në Gjermani për shembull. Por, megjithatë ka mundësi të zhvillohet. Ne i kemi këngëtarë të shumtë”, deklaroi Paçarizi.

Ai thotë se edhe në diasporë mund të shihet një dritare që fëmijët e mërgimtarëve ta shohin shqipen si një mundësi për ta zhvilluar karrierën e tyre, edhe pse janë rritë atje.

“Unë njëherë jam habitur kur studentët tanë, sepse studentët e gjuhës shqipe, së paku një semestër a dy, ata që duan, mund t’i kalojnë në universitete të ndryshme jashtë vendit dhe kur unë isha në një vizitë në Berlin, takova studentët tanë, ata më thanë për një moment se ‘a po dëgjon çfarë muzike është’, u thash jo se për mua muzika është një zhurmë kur pi kafe. Më thanë, po këndon Azeti dhe po këndon shqip në Berlin. Për mua ishte shumë interesant, dhe aty mund të shihet një mundësi ndoshta, një dritare që edhe fëmijët e mërgimtarëve tanë ta shohin shqipen si një mundësi për ta zhvilluar karrierën, edhe pse janë rritë atje, ta zhvillojnë karrierën këtu, sikurse edhe futbollistët për shembull që e shohin kombëtaren e Kosovës, si një mundësi për të depërtuar më tutje në botë. Do të thotë ka mundësi që të gjenden situata të tilla, në të cilat shqipja bëhet gjuhë e rëndësishme”, tha Paçarizi.

Tema e sivjetme “Shqipja në rrezik”, sipas tij, ka të bëjë edhe me përpjekjen për të nxitur studime të gjuhës shqipe.

“Tema e sivjetme “Shqipja në rrezik”, ka pasur të bëjë edhe me përpjekjen për të nxitur, për të forcuar studimet e shqipes në mënyrë që ato studime të jenë më të integruara, të internacionalizohen, të ndërkombëtarizohen më shumë, në mënyrë që shqipja të mos rrezikohet nga një lloj vetëmjaftueshmërie, njëfarë vet izolimi”, tha Paçarizi.

Ai thekson se qëllimi i organizimit të seminarit është që të mbledh sa më shumë të huaj që janë të interesuar për gjuhën shqipe. Këtu përfshihen studiues të gjuhës shqipe si dhe individë të ndryshëm që janë të interesuar të mësojnë këtë gjuhë.

“Në esencë, seminari ka nisur dhe vazhduar të organizohet për të huajt, do të thotë organizohet në tri boshte, në tri linja. Linja e parë është ajo e kurseve të gjuhës shqipe ku të huajt vinë dhe mësojnë shqipen përmes tri nivelesh, niveli i parë për ta që vinë për herë të parë të mësojnë gjuhë nga fillimi, pastaj niveli i ditë për ata që kanë qenë edhe herave të tjera dhe niveli i tretë janë ata që vinë për të mësuar kurset e avancuara të shqipes e në mesin e tyre ka edhe studiues pastaj të shqipes, njerëz të huaj të cilët merren me shqipen dhe zhvillohen më pas në këtë drejtim. Pjesa e dytë është ajo e referimeve shkencore dhe ligjëratave, ndërsa pjesa e tretë janë sesionet shkencore të cilat organizohen në dy ditët e fundit të seminarit”, tregon Paçarizi. /atvlive.tv

Bisedën e plotë të profesorit Rrahman Paçarizi në emisionin ALARM në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA