Të zakonshme dhe jo me ndonjë ndikim të madh po shihen mesazhet e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Sipas analistëve politikë, diplomati danez po e përmbyll vizitën pa një ofertë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit – të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 2023.
Peter Sorensen e përfundon sot vizitën e tij tre-ditore në Kosovë. Më pas, ai pritet të udhëtojë për në Beograd, shkruan KosovaPress.
Ai u takua të hënën me presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin në detyrë Albin Kurti si dhe me kryenegociatorin Besnik Bislimi.
“Nevojën e kompromisit në dialog duhet ta përcaktojnë palët”, tha Sorensen i cili këto takime i quajti “Fillim i mirë”.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se Sorensen në vizitën e tij të parë në Kosovë ishte shumë i rezervuar, derisa thekson se ka pritur se i njëjti do të paraqet një ofertë në tavolinë “që nëse zbatohet marrëveshja e Brukselit këto do të jenë hapat që do të ndërmerren për Kosovën”.
“[Sorensen]Nuk tha asgjë të re, janë gjëra të njohura si për palën kosovare ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Unë kam pritur që zotëri Sorensen të vjen me një ofertë në tavolinë, që ‘nëse zbatohet marrëveshja këto të jenë hapat që do të merren’. Të këtë diçka më konkrete, ose njohja nga Serbia ligjërisht të obligueshme, gjë të cilën BE-ja nuk e ka atë mundësi dhe aftësi ta bëjë. Të paktën, BE-ja e ka më lehtë që t’i bind pesë vendet mosnjohëse të BE-së që ta njohin Kosovën. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që të lëvizim tutje, pasi Kosova edhe nëse zbaton sot marrëveshjen nuk e ka të garantuar integrimin në BE”, thotë Arifi.
Në anën tjetër, analisti politik, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se diplomati danez në vizitën e tij në Kosovë ishte i matur në qëndrime, sipas tij, për shkak se ai “po tenton të kuptojë se ku qëndron procesi aktual i dialogut”, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, në bazë të mesazheve të Sorensenit “nuk mund të priten gjëra të mëdha dhe të jashtëzakonshme në dialog”, në kuptimin e njohjes së pavarësisë nga Serbia si dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Vizitën e Sorensenit duhet ta shohim në shumë perspektiva. Gjëja e parë që ishte e rëndësishme të përmendet është fakti që ai e sheh dialogun si të rëndësishëm për palët. Fakti që e ka cilësuar si një nismë të mbarë, ai ka marrë konfirmimin se me gjasë se ne duhet të vijojmë më tej me çështjen e dialogut. Një gjë e rëndësishme që e ka përmendur është se pretendon se do të ketë një qasje të re dhe se palët do të zbatojnë atë që për ato është e zbatueshme. Kjo nënkupton se nuk do të kemi gjëra të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Me këtë nënkupton se nuk mund të presim nga Serbia të njoh pavarësinë, sikurse edhe nga Kosova që të themelojë Asociacionin. Sipas evropianëve mund të bëhen gjërat e vogla por jo diçka të jashtëzakonshme”, thekson Imeri.
Peter Sorensen gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë është takuar edhe me liderët e partive opozitare dhe shoqërinë civile. Ai ka vizituar edhe pikat kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, përcjellë KosovaPress.
Diplomati danez ka marrë detyrën si përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish-emisarin Miroslav Lajçak.
Shefja e politikës së jashtme dhe të sigurisë e BE-së, Kaja Kallas, javë më parë ka thënë se gjatë muajit mars do të shikojnë të funksionalizojnë dialogun dhe të shohin si të ecet përpara.
Përkundër arritjes së Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, palët ende nuk kanë filluar zbatimin e saj.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011./KP