OVL-UÇK pas aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Gjykata Speciale është politike, adresa e saj është në Serbi dhe Rusi

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë cilësuar të papranueshëm procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, duke e konsideruar Gjykatën Speciale si politike dhe të njëanshme, raporton Ekonomia Online.
Në emër të OVL-UÇK-së, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Hajredin Kuçit dhe Fadil Fazliut, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari, tha se ky proces, sipas tij, ka dëshmuar se në asnjë moment nuk është bërë drejtësi.
Reklamë
Ai deklaroi se vendimi ndaj Thaçit është i papranueshëm dhe se, sipas tij, Gjykata Speciale ka pasur për qëllim goditjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dënimi i Thaçit, është i papranueshëm për ne, siç ka qenë i gjithë procesi i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, me kundërshtimet që nga krijimi, dhe gjithë këtë proces që e kemi përcjellë, vetëm në fakt është argumentuar që kjo gjykatë në asnjë rrethanë, në asnjë moment dhe në asnjë vendim nuk ka ndodhur drejtësi. E argumentoj edhe sot që është gjykatë politike, dhe marr të drejtën të them që adresa e kësaj gjykate është në Serbi dhe Rusi. I shtojmë edhe një fakt: meqenëse Hashim Thacci mori një dënim të padrejtë, si ka mundësi pikërisht kjo seancë të thirret më 17 nëntor, kur mirret parasysh që më 17 nëntor të vitit 1994 është emërtuar ushtria çlirimtare e Kosovës, nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dhe ky është edhe një argument shtesë që i vetmi qëllim i kësaj gjykate ka qenë është edhe mbetur për të goditur ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Jashari ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke kërkuar reagim ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale dhe kundërshtuar çdo kompromis që, sipas tij, cenon vlerat e luftës së UÇK-së.
“Ku është bashkësia evropiane? Ku është Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian? Ku janë ato shtete që e financojnë këtë gjykatë të njëanshme, të padrejtë dhe me plot gojë e thënë raciste? Gjithë kjo që ka ndodhur dhe po ndodh për ne është e papranueshme, nga kjo gjykatë, qysh e kemi thënë që nga krijimi e deri më sot, që ne nuk i njohim gjykatat e tilla. Dhe tani dua të bëj edhe një pyetje: ku janë institucionet e Republikës së Kosovës? Dhe nga këtu ju bëjmë edhe një herë thirrje që këto institucione mos guxojnë të bëjnë kompromise dhe pazare me vlerën më kulmore me luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, sepse ushtria çlirimtare e Kosovës është vlerë mbi institucione, është vlerë që e ka sjellë lirinë e Kosovës, andaj këto institucione kanë obligim që, kur preket në këtë luftë, duhet të reagojnë, duhet të mbrojnë”, tha ai.
Ai u është drejtuar edhe atyre që, sipas tij, kanë bërë pazare me ligjin, duke thënë se UÇK-ja nuk përfaqëson një individ, grup apo parti politike, por është vlerë e përbashkët e qytetarëve të Kosovës.
“Edhe një çështje tjetër dua të them që ata që kanë bërë pazare, ata që kanë luajtur me ligjin, dhe me kërkesën tonë që ka qenë e vetmja kërkesë që të nxirret një nen në këtë ligj mendoj se edhe jeta e tyre politike do të përfundojë me turp. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk është individ, nuk është e grupeve, nuk është e një partie ose tjetrës. Ushtria çlirimtare e Kosovës është vlerë e secilit që sot e gëzon lirinë. Ju bëjmë thirrje institucioneve, ju bëjmë thirrje faktorit të drejtësisë ndërkombëtare që mos të rrijë në duarkryq”, tha ai.
Reklamë








