Policia e Shtetit ka finalizuar në Pukë operacionin e koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit dhe me mbështetjen e forcave speciale RENEA.
Operacioni çoi në arrestimin e shtetasve Erzen Uka, 35 vjeç, dhe Julian Cumraku, 34 vjeç, të dy me precedentë penalë dhe të dyshuar për veprime të rrezikshme kundër rendit dhe sigurisë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 09:00 të së hënës, patrullat e Policisë së Pukës konstatuan një person që u fut me shpejtësi në një banesë të braktisur në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz.
Pasi policia i kërkoi të dilte, ai refuzoi dhe kërcënoi uniformat blu.
Duke pasur informacion për rrezikshmërinë e tij, zona u rrethua dhe u kërkua ndërhyrja e forcave RENEA.
Gjatë tentativës për negocim, nga brenda banesës u qëllua me armë zjarri drejt efektivëve të RENEA-s, duke rrezikuar jetën e tyre.
Rrethimi zgjati rreth 12 orë, ndërsa familjarët e të dy të dyshuarve luajtën rol në bindjen e tyre për t’u dorëzuar pa përdorimin e forcës.
Në momentin e arrestimit, Erzen Uka kishte një plagë në kofshë dhe u dërgua në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Kontrolli i banesës zbuloi një arsenal të plotë armësh: katër armë automatike, një pistoletë, municion luftarak, 17 granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.
Po ashtu, u sekuestrua edhe një flamur i organizatës terroriste ISIS.
Të dy të arrestuarit akuzohen për “propagandë dhe thirrje për akte me qëllime terroriste”, “mbajtje dhe prodhim të armëve luftarake”, “kundërshtim të punonjësit të policisë”, si dhe shkelje të tjera penale.







