Përgatiti: Pranvera Krasnqi
Për herë të parë u ulën në bankat shkollore, por mësimin e shkronjave po e bëjnë me Abetare të fotokopjuar.
Në bazë të planit mësimor, Mësuesja Durie Zeneli, edhe në ditën e tretë të këtij viti shkollor, mësimin e mbajti me tekste të printuara.
“Librat mungojnë, po mundemi që përmes fotokopjimit mos me mbetë edhe shumë mbrapa me njësi mësimore kështu në çdo orë, mjaft problematikë”, tha Zeneli.
Mirëpo veç mësimit të shkronjave, nxënësit e klasës së parë në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, edhe tekstet e tjera shkollore i kanë aktualisht të fotokopjuara.
“Po duhet kësisoj të vazhdojmë pasi nuk kemi zgjidhje tjetër deri në kompletimin e librave nga prindërit për fëmijët e tyre” , tha Zeneli.
Me këtë metodë alternative nuk janë të kënaqur aspak prindërit.
“Fotot pa ngjyra, normalisht që nuk është njësoj, ka me qenë shumë vështirë se munden t’i kuptojnë gjërat mirë përmes fotografive pa ngjyra”, tha Arta Mulolli, prind.
“Na kanë shtuar ngarkesën sa i përket librave, shumë sfidë për prindërit…”, tha Ganimete Abazi, prind.
Përveç shkollave në Fushë-Kosovë, librat po fotokopjohen edhe në komunat e tjera, siç është ajo e Vushtrrisë.
Ndërkaq, prindërit që arritën të aplikojnë në platformën E-Kosova, do të subvencionohen nga Qeveria me nga 50 euro për libra dhe 30 euro për materiale të tjera shkollore.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: