Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur sot, por po përballet me probleme serioze. Gazetari i ATV-së, Armand Hoti, i cili po ndjek nga afër zhvillimet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raportoi se sistemi i numërimit është bllokuar në disa tavolina, duke shkaktuar vonesa të mëdha.
“Në tavolinën e numërimit numër katër, sistemi është bllokuar totalisht dhe asnjë votë nuk është numëruar që nga ora 16:40,” ka bërë të ditur gazetari Hoti në një lidhje të drejtpërdrejtë në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV.
Sipas tij, probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në tavolina të tjera, ku vëzhguesit e partive politike kanë konfirmuar se procesi i numërimit ka hasur në vështirësi teknike për shkak të rënies së sistemit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ky proces është karakterizuar nga vonesa të shumta. Fillimisht, KQZ-ja kishte njoftuar se numërimi do të niste në orën 08:00, por më pas u shty për në 16:00 dhe përfundimisht filloi në 16:40.
Në lidhje me këto vonesa, Demokracia në Veprim, organizatë që monitoron zgjedhjet, ka shprehur shqetësimin se zvarritjet mund të ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Vonesa në numërimin e votave për kandidatët për deputetë do të ndikojë në perceptimin e qytetarëve për integritetin e këtij procesi,” është thënë në një reagim nga kjo organizatë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka njoftuar se pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, do të vazhdojë procesi për votat me kusht, votat nga diaspora dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
“Pasi të përfundojnë këto procedura, do të fillojë edhe numërimi i votave të tjera, përfshirë ato nga diaspora,” ka deklaruar Elezi.
Një nga risitë në këtë proces zgjedhor është përdorimi i kamerave për të monitoruar numërimin, duke shfaqur votat e numëruara në ekrane si një masë për transparencë. Për herë të parë, numërimi po zhvillohet në qendrat komunale të numërimit, një ndryshim që synon rritjen e efikasitetit të procesit./atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: