Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pasi që s’është përfshirë në listën zgjedhore të këtij subjekti politik.
Veliu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se po e sheh një “padrejtësi të pashembullt” në LDK.
“Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik ! Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë”, ka deklaruar Veliu.
“Unë nuk jam bërë barrë për askënd, por duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura! Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur”, vijon shkrimi i tij.
“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare. Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund. Ky është vetëm fillimi”, përmbyll shkrimin Veliu.







