Kryetari i Demokracisë Konservatore, Abdullah Klinaku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova nuk duhet të etiketohet si shoqëri raciste, pasi ligjet dhe vlerat e saj garantojnë mbrojtjen e çdo qytetari.
Ai tha se reagimet e fundit janë nxitur më shumë për të prodhuar lajm dhe për të qenë pjesë e debatit publik sesa për realitetin e situatës.
“Jo, unë mendoj që më shumë ndoshta e kanë shfrytëzuar momentin për me prodhu lajme, për me qenë pjesë aktive e kësaj teme. Përndryshe, me e nda në dy rrafshe, në aspektin juridik, Kosova është shumë mirë e mbuluar juridikisht për sa i përket të gjitha komuniteteve, pra Kushtetutën, ligjin kundër diskriminimit, Kodin Penal, i cili përcakton qartë veprat penale si dhe e përcakton qartë formën dhe mënyrën e mbrojtjes të çdo qytetari dhe shtetasi të Republikës së Kosovës. Pra, në aspektin juridik, kemi një mbulueshmëri shumë të mirë dhe besoj se kjo është pjesë e forcës tonë për me e ngritë nivelin tonë të menduarit, vetëdijes edhe politike, edhe juridike, edhe intelektuale në pajtim me këto akte juridike që i kemi në fuqi në mënyrë që këto akte juridike të sigurojnë mekanizma për çdo kënd”, tha Klinaku.
Sipas Klinakut, në kuptimin vleror dhe përkufizues, shqiptarët nuk mund të konsiderohen si racistë.
“Unë besoj që edhe në kuptimin vleror, ne nuk jemi siç është njohur në kuptimin tipik të racizmit. Edhe në kuptimin e definicionit, racizmi nënkupton kur është një besim apo qëndrim që raca jote në kuptimin racor, apo etnia jote në kuptimin etnik, apo kombi yt në kuptimin nacional është dominues mbi të tjerët, është më i mirë se të tjerët, është më i privilegjuar se të tjerët, dhe forma e manifestimit është paragjykimi, përjashtimi, përpjekja për me e shfaqë një lloj mosrespektimi, njëfarë lloji përjashtimi ndaj tjetrit, deri te ajo përpjekja për me e degradu dikë”, u shpreh Klinaku.
Deklaratën e plotë të Abdullah Klinakut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: