Sot më 21 maj bëhen 26 vjet nga vrasja dhe masakrimi i trembëdhjetë qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.
Atë ditë më njëzet e një maj u vranë mizorisht trembëdhjetë qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit duke mos e kursyer as fëmijën shtatë vjeçar Fitim Gudaqi. Po ashtu në këtë ditë ranë martirë: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi. Në këtë ditë në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.
Masakra e Stagovës është në mesin e 15 masakrave më të tmerrshme që ndodhura në Kosovë dhe që për të ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq u akuzuan nga Gjykata për Krime lufte në Ish-Jugosllavi me seli në Hagë, por që askush nuk u dënua për këto krime makabër.
Për Masakrën e Stagovës, ekipi i Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në autopsinë e dhjetë trupave të vrarë ka konstatuar vrasjet e tyre dhe se ky rast u hetua në kuadër të hetimeve për krime të luftës në Kosovë, të kryera nga njësitë ushtarake policore të Serbisë.
Njëzet e një maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.
Nga njëqind e tetëdhjetë shtëpi sa kishte ky fshat më njëzet maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi pesëdhjetë për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi nëntëdhjetë shtëpi.
Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.
Me rastin e 26 vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë më njëzet e një maj të vitit 1999, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në bashkëpunim me OVL-në e UÇK-së në Stagovë mbahet manifestim përkujtimor.
Manifestimi mbahet me fillim nga 11:00 në Shkollën e Fshatit Stagovë të Kaçanikut. Pas përmbylljes së manifestimit do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik./KosovaPress