Përgatiti: Driton Sadiku
Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar nga përleshja me protestuesit serbë, më 29 maj të vitit të kaluar.
Por fare pak nga serbët që sulmuan zyrtarët e KFOR-it janë arrestuar.
Nga 10 sa u ndaluan si të dyshuar për sulm, vetëm 4 u dënuan, teksa edhe ata lirinë e blenë me para.
Nën akuzat për huliganizëm, një ditë pas sulmit ishin arrestuar Sinisha Jevtic e Ivan Sekulic, ndaj të cilëve, në gusht të atij viti, Gjykata Themelore kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, dënim ky që u ishte zëvendësuar me gjobë prej 16 mijë eurosh për të dy dhe dëbim nga Kosova për 3 vjet.
Gjashtë muaj më pas, në shkurt të këtij viti, për pjesëmarrje në protestë e sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Gjykata Themelore kishte dënuar me nga gjashtë muaj burg edhe Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, dënim ky që Petroviqit iu zëvendësua me gjobë prej 6 mijë eurosh, ndërsa Obrenoviqit i ishte llogaritur koha e kaluar në paraburgim.
Si organizator i asaj proteste, ishte identifikuar Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe nga atëherë vazhdon të jetë në paraburgim.
Mirëpo, dënimet e ekzekutuara deri më tani, për juristin Ardian Bajraktari, janë të vogla.
“Kemi një numër të vogël të atyre që ballafaqohen me procese gjyqësore, përkatësisht ka aktakuza të ngritura e një numër edhe më të vogël të atyre që kanë marrë verdikte, përkatësisht dënime e që janë jashtëzakonisht të ulëta”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Prokuroria speciale nuk tregoi të mërkurën, nëse është ngritur ndonjë aktakuzë edhe ndaj të arrestuarve të tjerë nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it e ndaj gazetarëve.
Sulmeve të 29 majit, që vazhduan edhe në ditët në vijim, kryesisht ndaj ekipeve të mediave, iu parapriu zgjedhja e kryetarëve të rinj shqiptarë, në katër komunat veriore.
Serbët fillimisht bojkotuan qetësisht procesin zgjedhor, por u revoltuan në ditën kur kryetarët e zgjedhur filluan punën në objektet e komunave.
Protesta e serbëve vazhdoi me muaj, teksa për aq kohë, objektet zyrtare u ruajtën nga KFOR-i, derisa dy nga kryetarët, ai i Zveçanit dhe Zubin-Potokut, funksionin e ushtruan nga zyra alternative.
Për sulmin ndaj tyre, një vit pas reagoi edhe misioni i NATO-s, teksa kërkoi që personat që sulmuan pjesëtarët e saj në Zveçan, të mbahen përgjegjës.