Sot shënohet një vit nga arrestimi i Fadil Fazliut nga Gjykata Speciale në Hagë, nën akuzat për pengim të drejtësisë. Ky përvjetor është përcjellë me një reagim të fuqishëm nga djali i tij, i cili ka denoncuar atë që e quan “padrejtësi të kamufluar”.
Në një shkrim të publikuar, Fahriu ka treguar dhimbjen dhe zhgënjimin e tij, duke theksuar se prej një viti nuk i është lejuar të takojë të atin, ndonëse vizitat nga ana e tij kanë qenë të mundshme.
“Sot bëhet një vit nga arrestimi nga Gjykata Speciale në Hagë dhe një vit që nuk e kam parë babain tim, Fadil Fazliu. Jo pse unë nuk kam mundur ta vizitoj, por sepse dikush ka vendosur t’i mohojë brutalisht një nga të drejtat më themelore të njeriut – takimin mes një babai dhe birit.
Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi e kamufluar. Përqafimi ynë nuk paraqet rrezik për askënd, por heshtja ndaj kësaj padrejtësie po,” ka shkruar ai.
Pavarësisht situatës së rëndë emocionale, familja thotë se nuk e ka humbur shpresën dhe nuk do të tërhiqet nga kërkimi i drejtësisë.
“Megjithatë, ne nuk i ulim sytë. Babai im mund të jetë fizikisht pas hekurave, por shpirti i tij është i lirë dhe i pathyeshëm. Ashtu siç nuk kanë arritur t’i robërojnë shpirtërat e idealistëve as regjimet më të egra që ka njohur njerëzimi. Liri dhe drejtësi për çlirimtarët!”







