Përgatiti: Driton Sadiku
Kryeministri Albin Kurti tha se shpresat e Serbisë për ta zbrazur Kosovën u shuan 1 çerek shekulli më parë.
Por të bëmat e saj ndaj popullit të Kosovës, thotë se duhet të shkruhen e punime të ndryshme të botohen sa më shumë, që ato të mos harrohen asnjëherë.
“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999, NATO-ja i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHC-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë 862 mijë e 979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre”, tha Kurti.
Për luftën dhe ditët e çlirimit të Kosovës, u fol edhe nga figura të tjera akademike, por edhe politike, gjatë konferencës shkencore, për 25-vjetorin e çlirimit.
“Përvjetorët si ky që shënojmë sot, na ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë”, tha ish-president i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“Uroj që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen. Uroj që shqiptarët në Ballkanin perëndimor të kenë një mirëkuptim mes njëri-tjetrit dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen duke mos harruar”, tha ish-president i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Homologët nga akademitë e shkencave të të dyja vendeve, teksa e konsideruan si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vendit, shtuan se ende ka gjëra për t’u bërë.
“Lidhja e Prizrenit bëri kombin shqiptar, shekulli 20 bëri dy shtetet tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë për ne fjalën e fundit“, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.
“Ngjarje e cila çon në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu cilin 100 vjeçar, të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Skënder Gjinushi.
Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga data 8 qershor e do të zgjasin deri më 21 qershor.