Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar nisjen e xhirimeve për filmin “Për sa t’ketë det”, një projekt i ri kinematografik që shënon filmin e parë artistik të metrazhit të gjatë me skenar dhe regji nga Sovran Nrecaj.
Filmi prodhohet nga kompania Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me producente Aurela Kadriu dhe me mbështetje institucionale nga QKK.
“Për sa t’ketë det” trajton dhimbjet e heshtura dhe jetët e pezulluara nga pritja, duke u vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtohet pas luftës. Filmi fokusohet në historinë e Sadetes, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton me bashkëshortin e saj Burimin (Alban Ukaj) dhe djalin e tyre.
Rrjedha e jetës së saj ndryshon rrënjësisht kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe nuk kthehet më, duke e lënë Sadeten të përballet me një mungesë pa përgjigje dhe një realitet të vështirë në një shoqëri patriarkale.
Në kastin e filmit përfshihen edhe emra të njohur si Refet Abazi, Melihate Qena dhe Molikë Maxhuni, ndërsa drejtimin e fotografisë e mban Murat Emkuzhev.
Filmi aktualisht ndodhet në fazën e xhirimeve në Kosovë dhe pritet të sjellë një rrëfim të ndjeshëm dhe realist mbi pasojat e luftës dhe përpjekjet për mbijetesë në një realitet të brishtë shoqëror.






