14.4 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Nis tejkalimi i afateve kohore të aneksit të Ohrit

Dështimi për të themeluar Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës, brenda 30 ditësh, përbën tejkalimin ose shkeljen e parë të afateve kohore të parapara në aneks dokumentin e dakorduar në Ohër, nga Kosova dhe Serbia.

E hëna e 17 Prillit, është dita e 31-të nga dita e dakordimit.

Referuar praktikave në dialog për më shumë se një dekadë, opinionisti Bekim Kabashi vlerëson se Kosovës dhe Serbisë nuk u ka munguar vullneti për negocim e nënshkrim të marrëveshjes, por për zbatimin e saj.

“Serbia dhe Kosova më shumë i arrijnë marrëveshjet për shkak të presionit ndërkombëtar dhe mos-prishjet e raporteve me fuqitë, në këtë rast SHBA-të dhe BE-në, sesa me vullnetin për me mbërri paqe në mes të dy vendeve. Dhe po besoj që prapë do ketë probleme, edhe në implementimin e kësaj marrëveshje, në themelimin atyre institucioneve, duke përfshirë edhe institucionin që ka me e shiku nëse ka me u zbatu marrëveshja ose jo”, tha gazetari dhe analisti Bekim Kabashi.

Palët, sipas tij, nuk janë ndikuar shumë as nga paralajmërimet për sanksione.

“Sanksionet janë përmend më shumë se do ndikojnë në rrugën e palëve për anëtarësim në BE. Kosova pothuajse ende nuk e ka filluar qartë këtë drejtim dhe nuk e ka ndonjë shqetësim të madh në këtë drejtim. Ndërsa, Serbia është shumë më përpara në proces të integrimit në BE, por nuk ka ndonjë vullnet ose naj merak të madh nëse anëtarësohet ose jo Serbia”, tha Kabashi.

Përgjegjës për ritmin e ulët të lëvizjes, profesori Seb Bytyçi e bën edhe Bashkimin Evropian.

“Siç kam thënë edhe më herët, pritet të ketë zvarritje nga të dyja palët. Mirëpo, kjo dëshmon se edhe BE-ja, si ndërmjetësues, ka një qasje zvarritëse dhe deri diku e toleron zvarritjen nga të dyja palët. Kështu që mund të pritet që të ketë zvarritje edhe në të ardhmen në implementimin e marrëveshjes”, tha Bytyçi.

Në aneksin e dakorduar më 18 mars ishte paralajmëruar trajtim “urgjent” i çështjes së të pagjeturve dhe nisje e “e menjëhershme” e punës për themelimin e Asociacionit, por për asnjërën ende nuk ka ndonjë konkluzë.

Njësoj edhe për Komitetin që do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, pritet të ketë gjashtë anëtarë: dy Kosova, dy Serbia dhe dy Bashkimi Evropian – që do ta kryesojë këtë mekanizëm.

Të martën, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, pritet t’i takojë në distancë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, si vazhdim i diskutimeve për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit dhe funksionalizimin e Komitetit, para takimit të radhës të nivelit të lartë. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA