5.7 C
Pristina
E diel, 24 Nëntor, 2024

Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.

“Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.

Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.

“Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.

Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.

Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Me regjisor Ivica Šimić shfaqja “Rusalka” impresionoi publikun me personazhet që trajtonin temën e një ëndrre të personazhit të arrinte të bëhej një këngëtare e operës por që duhej të ndiqte hapat, vështirësitë e sfidat. Gjithashtu duke përbërë një perspektivë psikologjike se secili duhet të jetë vetëvetja pavarësisht paragjykimeve nga të tjerët. Publiku nderoi aktoret me duatrokitje dhe mirënjohje.

Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:

-Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
– Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
– Çmimin për regjinë më të mirë;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë.

Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:

Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
– Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
– Bislim Muçaj, aktor;
– Zijad Meheiç, producent.

Juria e medias:
Lumira Kelmendi, RTK
Xhejlane Terbunja, aktore dhe
Erona Salihu, ATV.

Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.

PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.

Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.

Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “Boxes” nga Turqia me regji të Balım Kar dhe Semih Değirmenci, duke filluar nga ora 20:00. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA