“Duhet me i var në litar kta tradhtar të serbisë”, ky është njëri nga disa kërcënimet që sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë i ka marrë gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, në komente në rrjetin social Facebook, gjatë periudhës kohore maj-qershor 2025. Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt, të cilët akuzohen për veprën penale “Kanosja”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 tetor 2025, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani. Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha- gazetar dhe kryetar i AGK-së, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj- qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.
Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Blerim Haradinaj akuzohet se në të njëjtën periudhë kohore ka kanosur të dëmtuarin Rexha përmes profilit të tij në Facebook, ku i kishte shkruar koment me fjalët “duhet me i var në litar kta tardhtar të serbisë”.
Fjalët kërcënuese, Haradinaj, sipas aktakuzës i bëri kur i dëmtuari Rexha kishte dhënë një intervistë ‘online’ në rrejtin social Facebook, kështu me këto komente i ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.
Me këtë, Haradinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.
Seanca fillestare për këtë rast pritet të mbahet të mërkurën (19.11.2025), në ora 14:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se të dy të pandehurit kanë treguar se janë mërgimtarë. Njëri jeton në Suedi e tjetri në Zvicër.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Fitim Selmani në deklaratën e tij para Policisë, u shpreh se nuk e njeh dhe nuk e di se me çfarë merret gazetari Rexha.
“Po, është e vërtetë që unë e kam shkruar këtë mesazh, por nuk e mbaj mend se kur e kam shkruar veç se jam në dijeni se ka qenë një video e postuar dhe e kam lënë një koment për shkak të asaj video e cila tash nuk më kujtohet se çfarë ka qenë dhe nuk kam pasur asnjë qëllim për gazetarin në fjalë”, citohet të ketë deklaruar Selmani, duke shtuar se i kërkon falje të dëmtuarit pasi sipas tij është shkruar “pavetëdije”.
Ngjashëm thuhet se është shprehur edhe i akuzuari Haradinaj, në deklaratën e tij të dhënë në Polici, ku ka thënë se nuk e njeh të dëmtuarin Xhemajl Rexha dhe se nuk e di se me çfarë merret.
“Ndoshta e kam shkruar komentin në fjalë, por nuk më kujtohet se pse e kam shkruar këtë koment, nuk kam pasur qëllim të keq ose diçka tjetër nëse është në komentin tim. I kërkoj falje publikisht personit në fjalë dhe jam i gatshëm t’i kërkoj falje edhe live pasi që po ndihem shumë keq për momentin”, citohet se ka thënë në deklaratën e tij Blerim Haradinaj.
Në anën tjetër, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në deklaratën e dhënë në Polici, ka theksuar se shqetësimet e tij lidhen me një sërë komentesh online në disa faqe të rrjetit social Facebook, si reagim i deklaratave të tij publike për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë.
“Nga mijëra komente të natyrës së ofendimeve personale, disa prej tyre kam arritur pak më vonë t’i shoh, që janë shkruar, janë të natyrës kërcënues, ato përfshijnë mes tjerash thirrje për vrasje, për varje në shesh të qytetit, likuidim dhe të ngjashme”, ka thënë Rexha.
Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Rexha ka thënë se leximi i këtyre mesazheve ka bërë që të ketë shqetësim serioz për sigurinë e tij fizike dhe përveç kësaj, sipas tij kanë pasur efekt negativ psikologjik, duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.
“Motivi i këtyre shkrimeve lidhet ekskluzivisht me punën time si gazetar dhe si kryetar i AGK-së në mbrojtje të gazetarëve, lirisë së shprehjes dhe mediave në Kosovë dhe për këtë ndihem i rrezikuar për sigurinë time”, citohet se ka deklaruar gazetari Rexha.







