Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.K., dhe B.K., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data njëzet e gjashtë mars dy mijë e njëzet e pesë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”. Siç njofton Prokuroria, gjithashtu i akuzuari E.K., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Po ashtu i akuzuari B.K., sipas njoftimit, ka kryer veprën penale “Detyrimi”, raporton KosovaPress.
“Sipas aktakuzës, nga muaji shkurt i vitit dy mijë e njëzet e një, e në vazhdimësi, në Prizren, të akuzuarit E.K., dhe B.K., kontraktojnë një shumë dukshëm jopropocionale në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin E.G., duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, papërvojën ose paaftësinë për të kuptuar pasojën, në atë mënyrë që i dëmtuari, fillimisht takohet me të akuzuarin E.K., nga i cili kërkon tre mijë euro borxh, me afat kthimi brenda dy muajve”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, me rastin e dhënies së borxhit, i akuzuari E.K., e ngarkon me kamatë mujore në shumë prej gjashtëqind e pesëdhjetë euro.
“Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i akuzuari E.K., përsëri i jep të dëmtuarit edhe dymijë e pesëqind euro, të cilat para i kishte marrë nga xhaxhai i tij, i akuzuari B.K., duke e paralajmëruar të dëmtuarin, se për këtë shumë do të paguaj kamatë mujore në shumë prej pesëqind euro”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, “Meqenëse i dëmtuari, nuk arrin të paguaj borxhin së bashku me kamatën që i kërkohet, të akuzuarit ia rrisin vlerën e kamatës mujore në vlerë prej njëmijë e njëqind e peshëdhjetë euro”.
“Përsëri në pamundësi të pagesës, të pandehurit, ia jepin të dëmtuarit edhe dymijë euro, ku i dëmtuari nga muaji shkurt i vitit dymijë e njëzet e një e deri në muajin shkurt të vitit dymijë e e njëzet e pesë, ka paguar kamatë mujore në shumë prej njëmijë e pesëqind euro, e cila kamatë arrin vlerën mbi njëzetë e pesë mijë euro. Me datë 18.03.2025 rreth orës 23:02 min, i akuzuari E.K., i dërgon sms të dëmtuarit duke i thënë se i ke borxh trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euroose e bartë banesën tek noteri në emrin e tij. Me pas, me datë 26.03.2025 takohen në Prizren, dhe pas bisedës rreth borxheve dhe kamatës, të akuzuarit nga i dëmtuari marrin edhe dhjetëmijë euro me ç’rast intervenon policia dhe të njëjtit arrestohen. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, i akuzuari E.K., me datë 26.03.2025, posedon në kundërshtim me ligjin për armët, pistoletën “Pjetro Bereta Gardone”, dhe 13 fishekë, pas kontrollimit të automjetit “Mercedes 2024”C, ndërsa pas kontrollit në shtëpinë e tij, është gjetur edhe 1 pushkë ajrore dhe 1 fishekë i armës së gjatë, si dhe 42 fishekë të pistoletës 9×19 mm dhe 1 karikator i zbrazët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Ndërsa, më tej thuhet se i akuzuari B.K., me datë 27.02.2025, në kohë të pacaktuar, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete përdorë forcën duke detyruar të dëmtuarin E.G., të kryej ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i njëjti nuk ka qenë në gjendje ta realizoj kthimin e borxhit që ka rezultuar nga dhënia e fajdesë dhe interesin jo proporcional, në mënyrë të dhunshme ia merr automjetin Golf VII, ku i dëmtuari pastaj detyrohet të marr një automjet Golf VI në Rent A Car, për ta kthyer automjetin e tij.
“Po ashtu, në mënyrë të dhunshme ia heq nga dora orën të dëmtuarit, në vlerën prej njëmijë e treqind euro, si dhe kërcënon se nëse nuk i pagan borxhet dhe kamatat e lartcekura, do të shkojnë tek noteri për ta bartur banesën e të dëmtuarit në posedim të tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.
“Gjithashtu, prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe përfitimeve nga kryerja e veprave penale, duke përfshirë shumën në total tetëmbëdhjetë mijë e pesëdhjetë euro), automjetin “Mercedes”, armë, telefona etj”, thuhet në njoftim.